
Operacioni Foleja 3 çon në pranga një shtetase të huaj, procedohen edhe dy persona të tjerë të dyshuar për përfitim nga aktiviteti i paligjshëm
Një tjetër operacion policor kundër ushtrimit të prostitucionit është finalizuar në kryeqytet. Shërbimet e Komisariati i Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, kanë arrestuar një shtetase vietnameze 51-vjeçare, e dyshuar se ushtronte prostitucion në një apartament të marrë me qira.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar Foleja 3, pas hetimeve të zhvilluara për dokumentimin e veprimtarisë së paligjshme në ambiente banimi. E arrestuara, me inicialet Th. H., dyshohet se ushtronte aktivitetin në një apartament në rrugën Mine Peza, në Tiranë.
Gjatë kontrollit në ambientet e apartamentit, shërbimet e Policisë sekuestruan një shumë parash dhe një aparat celular, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në vijim të hetimeve.
Po ashtu, u proceduan penalisht edhe dy shtetas të tjerë, të cilët dyshohet se kanë përfituar nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Policia bën me dije se ky është një tjetër rast i evidentuar në kuadër të kontrolleve të shtuara për goditjen e prostitucionit dhe përdorimit të apartamenteve me qira për aktivitete të paligjshme. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
