
Regjimi paralajmëron dënim me vdekje për protestuesit, spitalet në kolaps dhe interneti i bllokuar ndërsa SHBA dhe BE shprehin mbështetje
Protestat janë përhapur në të gjithë Iranin duke shënuar përshkallëzim të fortë të dhunës dhe represionit shtetëror. Sipas aktivistëve të Human Rights Activists News Agency, bilanci zyrtar flet për të paktën 72 persona të vrarë dhe mbi 2.300 të arrestuar. Megjithatë, burime mjekësore flasin për shifra shumë më të larta. Një mjek ka raportuar për Time se vetëm në gjashtë spitale të Teheranit janë regjistruar të paktën 217 viktima, çka tregon një mospërputhje serioze mes të dhënave zyrtare dhe realitetit në terren.
Spitalet në kryeqytet dhe qytete të tjera janë të mbingarkuara me të plagosur, shumë prej të cilëve kanë marrë plagë nga armë zjarri në kokë dhe sy. Mjekë iranianë kanë dëshmuar për BBC se infrastruktura shëndetësore është pranë kolapsit, ndërsa autoritetet përpiqen të kontrollojnë informacionin duke ndërprerë komunikimet.
Në këtë klimë tensioni, prokurori i përgjithshëm iranian Mohammad Movahedi Azad ka paralajmëruar se çdo pjesëmarrës në protesta do të konsiderohet armik i Zotit, një akuzë që në Iran dënohet me vdekje. Paralajmërimi vjen në një moment kur udhëheqësi suprem Ali Khamenei ka vendosur Gardën Revolucionare në gjendje alarmi të lartë, madje më të fortë se gjatë përplasjes ushtarake me Izraelin verën e kaluar.
Interneti dhe komunikimet telefonike janë ndërprerë prej ditësh, duke izoluar vendin nga bota dhe duke penguar qytetarët të informojnë familjarët apo komunitetin ndërkombëtar. Regjisori iranian Jafar Panahi ka bërë thirrje publike për ndihmë, duke theksuar se qytetarët janë të pambrojtur përballë represionit dhe errësirës informative.
Reagimet ndërkombëtare nuk kanë munguar. Bashkimi Europian ka dënuar dhunën dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve si dhe rikthimin e plotë të aksesit në internet. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar mbështetje për protestuesit. Presidenti Donald Tramp ka shkruar se SHBA janë të gatshme të ndihmojnë popullin iranian në përpjekjen e tij për liri, duke paralajmëruar se dhuna masive ndaj civilëve do të ketë pasoja.
Protestat kanë nisur më 28 dhjetor si reagim ndaj rritjes së çmimeve dhe rënies drastike të monedhës kombëtare, rialit, i cili ka arritur në mbi 1.4 milion për një dollar. Kriza ekonomike e shkaktuar nga sanksionet ndërkombëtare dhe programi bërthamor i Iranit u shndërrua shpejt në thirrje të hapura për përmbysjen e sistemit autoritar që drejton vendin që nga viti 1979. Sot, demonstratat përfshijnë të gjitha 31 provincat e Iranit, duke shënuar një nga sfidat më të mëdha për regjimin në dekada.
