
Kreu i lëvizjes Shqipëria Bëhet akuzohet për grumbullim dhe zaptim të hapësirës publike, pasi protestuesit vendosën çadra para godinës së qeverisë.
Protesta para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e dytë dhe qendra e saj mbetet Adriatik Lapaj, kreu i lëvizjes Shqipëria Bëhet, i cili po kërkon ndryshime në qeverisje dhe llogaridhënie publike. Policia ka njoftuar sot se ndaj tij është proceduar penalisht, me pretendimin se ka organizuar grumbullim në hapësirë publike duke bllokuar qarkullimin përpara godinës së qeverisë.
Sipas njoftimit zyrtar, materialet janë referuar në Prokurori dhe ndaj Lapajt po hetohet për shkelje të rendit publik. Organi i rendit pretendon se çadrat e ngritura nga protestuesit mbrëmjen e kaluar ishin vendosur pa leje në hapësirë publike, gjë që solli ndërhyrjen e policisë. Gjatë heqjes së tyre është regjistruar edhe një përplasje mes efektivëve dhe qytetarëve të pranishëm.
Lapaj nisi protestën fillimisht i vetëm, duke deklaruar se do të qëndrojë përballë Kryeministrisë deri në marrjen e përgjigjeve për kërkesat e tij. Në vijim, atij iu bashkuan anëtarë të lëvizjes dhe qytetarë të tjerë që kërkojnë ndryshime politike dhe transparencë nga ekzekutivi.
Megjithëse policia ndërhyri për largimin e çadrave, tubimi vijon. Nuk ka ende konfirmim për masa të tjera ndaj protestuesve, ndërsa tensionet mes palëve mbeten të pranishme.
