Protestat e fermerëve francezë kanë vijuar edhe këtë të martë, duke shkaktuar bllokime të gjera në rrugët kryesore dhe në një linjë hekurudhore, si dhe duke paralizuar lëvizjen në disa zona të vendit. Fermerët kanë ngritur kampe përgjatë rrugëve dhe kanë kaluar natën aty, në shenjë proteste.
Sipas mediave ndërkombëtare, fermerët po protestojnë kundër mënyrës se si autoritetet po menaxhojnë sëmundjen e encefalopatisë sfungjerore të gjedhit, si dhe kundër politikave bujqësore të qeverisë.
Protesta përfshin gjithashtu kundërshtimin ndaj nënshkrimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë BE–Mercosur, e cila sipas tyre rrezikon prodhimin vendas.
Autostrada A64, që lidh Bayonne me Tuluzën në jugperëndim të Francës, ka mbetur e bllokuar për rreth 180 kilometra. Në zonën e Carbonit, pranë Tuluzës, fermerët kanë ngritur kampe për të kaluar natën e katërt radhazi, ndërsa traktorët dhe baletat me kashtë kanë bllokuar qarkullimin. Po ashtu, rruga kryesore që lidh Francën me Andorrën vijon të jetë e mbyllur që prej së premtes.
Qeveria e Andorrës ka shprehur shqetësim për pasojat ekonomike të mbylljes së rrugëve, veçanërisht për dyqanet pa taksa, të cilat zakonisht kanë fluks të lartë vizitorësh në prag të Krishtlindjeve.
Ndërkohë, kryeministri Sébastien Lecornu ka zhvilluar një takim me ministra dhe prefektë për të diskutuar situatën dhe pasojat e protestave.
Autoritetet franceze kanë bërë të ditur se strategjia kundër sëmundjes parashikon asgjësimin e kafshëve në fermat e prekura, kufizime në lëvizjen e kopeve dhe vaksinim emergjent brenda një rrezeje prej 50 kilometrash, por jo vaksinim të përgjithshëm në shkallë kombëtare.
