
Qytetarë dhe aktivistë të Koalicionit Pro Familjes kërkojnë që Presidenti Begaj të mos e dekretojë ligjin; pankarta, thirrje dhe debat i ndezur publik
Në qendër të Tiranës, në sheshin “Skënderbej”, dhjetëra qytetarë janë mbledhur këtë të shtunë në një protestë të thirrur nga Koalicioni Pro Familjes dhe Jetës, kundër ligjit të miratuar së fundmi për Barazinë Gjinore. Tubimi, i zhvilluar në orët e paradites, ka sjellë në shesh prindër, të rinj dhe aktivistë që shprehin hapur kundërshtinë ndaj nismës ligjore.
Protestuesit kërkojnë që Presidenti Bajram Begaj të mos e dekretojë ligjin, duke argumentuar se ai cenon rolin tradicional të familjes dhe prek, sipas tyre, edukimin e fëmijëve në moshat e hershme. Disa ditë më parë, organizatorët i dorëzuan Presidentit edhe një letër zyrtare me kërkesën për refuzimin e nismës.
Në tubim janë vërejtur edhe fëmijë të veshur me motive kombëtare, ndërsa pankarta të shumta mbanin mesazhe kundërshtuese si “Vrasësit e traditës = Tradhëtarë të kombit”.
Gjatë fjalës së saj para qytetarëve, aktivistja Linda Pano akuzoi ligjin se synon futjen e edukimit gjinor në sistemin arsimor nga mosha 4 deri në 18 vjeç.
“Mos m’i prekni fëmijët. Ky ligj detyron edukimin gjinor në shkolla. 77 deputetë tradhtuan vendin, zoti President, mos u bëj i 78-ti,” deklaroi Pano.
Ligji për Barazinë Gjinore ka ndezur debat të gjerë publik ditëve të fundit, me mbështetës që e cilësojnë si hap të domosdoshëm drejt mbrojtjes së të drejtave dhe kundërshtarë që e shohin si ndërhyrje ideologjike në sferën familjare dhe arsimore.
