
Gazetari Osman Stafa kërkoi reagim qytetar pas raportimeve për mungesë medikamentesh për pacientët me kancer, duke deklaruar se fondet publike prej 43 milionë eurosh duhet të ishin përdorur për trajtimet jetike.
Përpara Ministrisë së Shëndetësisë u zhvillua sot një protestë e qytetarëve dhe aktivistëve, të cilët ngritën zërin për mungesën e ilaçeve në Qendrën Onkologjike. Protestuesit, ndër ta edhe gazetari Osman Stafa, kërkuan transparencë dhe përgjegjësi për keqmenaxhimin e fondeve që, sipas tyre, ishin destinuar për trajtimin e pacientëve me sëmundje të rënda
Në shenjë revolte, pjesëmarrësit mbanin tullumbace të zeza, simbol i dhimbjes dhe neglizhencës institucionale. Gjatë fjalës së tij, Stafa theksoi se situata në Onkologjik është alarmante dhe se pacientët detyrohen të presin me orë të tëra për trajtime që duhet të ishin të garantuara.
Nuk mund të lësh një pacient tetë orë në karrige për trajtim, tha ai. Kjo është një padrejtësi që prek çdo familje dhe duhet të reagojmë si shoqëri.
Sipas tij, 43 milionë euro të destinuara për medikamentet e pacientëve me kancer të gjirit nuk janë përdorur për qëllimin e duhur. Këto para janë publike, janë të qytetarëve, jo për t’u humbur në procedura apo keqpërdorime, shtoi Stafa.
Protestuesit kërkuan që Ministria e Shëndetësisë të japë llogari për mungesat e barnave dhe të garantojë furnizim të vazhdueshëm për pacientët onkologjikë, duke paralajmëruar se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave.