
Ngjarja u filmua dhe u përhap me shpejtësi në rrjete sociale, duke nxitur reagime të forta për përdorimin e forcës gjatë protestave kundër politikave të emigracionit të administratës Tramp
Një protestë kundër Policisë amerikane të emigracionit dhe doganave (ICE) në Kaliforni ka përfunduar me pasoja të rënda për një të ri, i cili ka humbur shikimin në njërin sy pas një përplasjeje me agjentë federalë. Ngjarja ndodhi më 9 janar përpara një ndërtese federale në qytetin Santa Ana dhe u filmua nga dëshmitarë, duke u shpërndarë më pas gjerësisht në rrjete sociale.
Sipas raportimeve, 21-vjeçari Kaden Rummler po merrte pjesë në protestë kundër bastisjeve dhe politikave të zbatimit të ligjit për emigracionin. Gjatë përplasjes mes protestuesve dhe forcave federale të sigurisë, ai u godit në fytyrë nga një predhë e cilësuar si “më pak vdekjeprurëse”, e lëshuar nga një agjent i Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Pas goditjes, Rummler u rrëzua në tokë dhe u tërhoq zvarrë nga agjentët, siç shihet qartë në pamjet filmike.
I riu u transportua menjëherë në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati rreth gjashtë orë. Familjarët e tij kanë bërë të ditur se ai ka mbetur përgjithmonë i verbër në syrin e majtë dhe ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë. Mjekët kanë konstatuar fragmente plastike dhe metali të ngulitura pranë syrit dhe kafkës, disa prej të cilave nuk janë hequr për shkak të rrezikut për jetën.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe në rrjetet sociale. Aktivistë të të drejtave civile dhe mbështetës të Rummler e kanë cilësuar incidentin si përdorim të tepruar dhe disproporcional të forcës nga autoritetet federale. Nga ana tjetër, përfaqësues të Departamentit të Sigurisë Kombëtare kanë mbrojtur veprimet e agjentëve, duke deklaruar se ata po përballeshin me një situatë të tensionuar dhe se disa protestues kishin penguar operacionet e forcave të rendit.
Protestat kundër ICE janë shtuar ndjeshëm muajt e fundit në disa shtete amerikane, në kuadër të kundërshtimeve ndaj politikave të emigracionit të administratës Tramp. Incidenti në Santa Ana pritet të hetohet më tej, ndërsa rasti ka rihapur debatin mbi kufijtë e përdorimit të forcës gjatë protestave dhe përgjegjësinë e institucioneve federale.