Një apartament i lëshuar me qira, ku shfrytëzoheshin gra për prostitucion, është zbuluar në Vlorë, ndërsa u godit një rrjet i paligjshëm i këtij aktiviteti.
Zbulimi u bë në lagjen “Pavarësia”, aty ku shfrytëzohej sipas policisë, një shtetase kineze. Dy kinezë u identifikuan dhe arrestuan si bashkëpunëtorë dhe drejtues të aktivitetit kriminal, kurse një i tretë u shpall në kërkim. Të arrestuarit janë një burrë dhe një grua, kurse një tjetër femër 50-vjeçare është e shpallura në kërkim.
Nën procedim u vendos edhe shtetasja kineze e dyshuar dhe një person i dytë që besohet se është klient.
“Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u finalizua operacioni i koduar “Victim”, që goditi një rast të shfrytëzimit për prostitucion. Nga hetimet u identifikuan 3 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale. 2 prej tyre, shtetasja X. L., 40 vjeçe, banuese në Kinë dhe shtetasi B. Ë., 31 vjeç, banues në Kinë, u vunë në pranga, ndërsa bashkëpunëtorja, shtetasja K. X., 50 vjeçe, u shpall në kërkim”, tha policia.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata dyshohet se shfrytëzonin për prostitucion shtetasen kineze J. G., 52 vjeçe, në një apartament në lagjen “Pavarësia”, të cilin e kishin marrë më qira, për këtë qëllim.
“E dyshuara kineze J. G. dhe shtetasi E. B., i cili u konstatua në apartament, u proceduan penalisht për veprën penale “prostitucion”. Punohet për kapjen e shtetases kineze të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e kësaj të veprimtarie kriminale”, vijoi sqarimin policia vendore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
