
Media suedeze zbardh arsyet e tensionit, pasuritë minerare dhe territoret përtej detit e bëjnë Francën të ndjeshme ndaj ambicieve amerikane
Presidenti francez Emmanuel Macron ka shfaqur javët e fundit një qëndrim gjithnjë e më të ashpër ndaj Donald Tramp, veçanërisht lidhur me ambiciet amerikane për Groenlandën. Sipas një analize të publikuar nga e përditshmja suedeze Dagens Nyheter, kjo retorikë nuk është thjesht simbolike, por lidhet drejtpërdrejt me frikën e Parisit për territoret e tij përtej detit dhe burimet strategjike që ato përmbajnë.
Më 15 janar, Macron deklaroi se Evropa ka një përgjegjësi të veçantë në Groenlandë dhe konfirmoi se, me kërkesë të Danimarkës, Franca kishte nisur tashmë forca ushtarake në ishull. Fillimisht u dërgua një njësi prej 15 ushtarakësh, por pritet që prania franceze të forcohet me mjete tokësore, ajrore dhe detare në ditët në vijim.
Edhe pse angazhimi aktual është i kufizuar, mesazhi politik është i qartë. Franca, si e vetmja fuqi bërthamore e Bashkimit Europian, po sinjalizon se nuk do të qëndrojë pasive përballë ndryshimeve gjeopolitike në Arktik. Sipas medias suedeze, fakti që një avion transporti francez ka zbarkuar në Groenlandë është një precedent i rëndësishëm, pasi kjo zonë ka qenë tradicionalisht nën ndikimin ushtarak amerikan.
Reagimi i Tramp nuk ka munguar. Presidenti amerikan ka paralajmëruar vendosjen e tarifave të reja doganore ndaj vendeve që dërgojnë trupa në Groenlandë, përfshirë Francën dhe Suedinë. Kjo ka shtuar më tej tensionet mes Uashingtonit dhe kryeqyteteve europiane.
Nga ana tjetër, Macron ka përmendur mundësinë e aktivizimit të ashtuquajturit bazuka tregtare të Bashkimit Europian, një instrument antishtrëngues i miratuar në vitin 2023, që i lejon BE-së të reagojë me masa të forta ekonomike ndaj presioneve të jashtme.
Sipas Dagens Nyheter, shqetësimi real i Francës shkon përtej Groenlandës. Parisi druhet se ambiciet amerikane mund të shtrihen edhe drejt territoreve franceze përtej detit, disa prej të cilave zotërojnë rezerva të konsiderueshme mineralesh strategjike. Në këtë prizëm, përplasja mes Macron dhe Tramp shihet si paralajmërim për një garë të re ndikimi dhe burimesh, ku territoret periferike mund të kthehen në epiqendra tensioni global.
