Nga Madonna te Rosalía, gjithnjë e më shumë yje të muzikës pop po frymëzohen nga imazhet fetare dhe figura e murgeshës, duke e kthyer simbolikën katolike në një armë estetike, shpeshherë edhe provokuese.
Një valë e re estetike po pushton botën e muzikës dhe modës: ajo e “nun-core”, stili që përzien misterin, përulësinë dhe provokimin përmes imazhit të murgeshës. Rosalía, Lily Allen, Lana Del Rey e deri te legjendat si Madonna po përdorin gjithnjë e më shpesh elemente fetare në artin e tyre, duke e bërë fenë një terren të pasur për simbolikë, debat dhe spektakël.
Në kopertinën e albumit të saj të ri “Lux”, Rosalía shfaqet e mbuluar me një vello të bardhë, e përkulur në një pozë që ngjan me lutjen. Vetëm katër ditë më pas, Lily Allen shkaktoi tronditje me klipin “Pussy Palace”, ku shfaqet me veshje murgeshe, cigare në dorë dhe taka të larta, një kontrast i qëllimshëm mes shenjtërisë dhe rebelimit. E njëjta gjë u pa edhe në klipin “Feather” të Sabrina Carpenter, ku këngëtarja vallëzonte me kryq në qafë brenda një kishe të vërtetë në Brooklyn.

Sipas ekspertit të modës dhe pop kulturës, Clément Laré, kjo prirje nuk është rastësore: “Kisha katolike ka një përfytyrim simbolik të pasur dhe të njohur universalisht., me kode të qarta që lehtësojnë përvetësimin artistik. Pop yjet e duan pikërisht sepse mund ta kthejnë në diçka subversive, një lojë midis shenjtërisë dhe mëkatit.”
Në fakt, ky kontrast ka ekzistuar që prej Madonës. Në vitin 2015, ajo u ngjit në skenë gjatë “Rebel Heart Tour” e veshur si murgeshë, duke bërë “pole dance” rreth një kryqi. Ishte një prej akteve më provokative në historinë e muzikës pop, dhe që nga ai moment, lidhja midis fesë dhe artit skenik nuk u shkëput më. Nga ana tjetër, këngëtare si Lana Del Rey e kanë interpretuar figurën e murgeshës në mënyrë më të qetë e mistike, duke e përdorur si simbol të brishtësisë dhe përkushtimit shpirtëror.

Fenomeni ka marrë hov sidomos në Spanjë, ku “nun-core” është kthyer në një trend të vërtetë mode. Sipas analizave të “The Times”, pas pandemisë është vërejtur një rritje e interesit të të rinjve për përvojat shpirtërore, çka mund të shpjegojë edhe suksesin e artisteve si Ethel Cain, e cila ndërthur gotiken, besimin dhe errësirën në performancat e saj.

Edhe në Francë, ku numri i pagëzimeve është rritur me 30 % në vitin 2024, kjo lëvizje artistike duket se pasqyron një ndryshim të brendshëm kulturor: një brez që kërkon kuptim dhe përjetim më të thellë në një botë të tejmbushur nga konsumi dhe imazhi.
Në fund, dilema mbetet e hapur: a është kjo mani një formë e re spiritualiteti në art, apo thjesht një mjet estetik për të provokuar e tërhequr vëmendje? Ndoshta, si çdo rrymë e mirë pop, përgjigjja qëndron diku mes të dyjave midis besimit dhe performancës.
