
Një ndeshje plot ritëm, gola dhe emocione shënoi hapjen e javës së 8-të të Ligue 1, ku PSG shpëtoi nga humbja në minutat e fundit, ndërsa Strasbourg la pas duarsh një fitore historike.
Një ndeshje që kishte gjithçka; gola, përmbysje dhe tension deri në fund. Në “Parc des Princes”, Paris Saint-Germain dhe Strasbourg barazuan 3-3, duke dhuruar ndoshta sfidën më të bukur të fillimit të sezonit në Ligue 1.
Skuadra e Luis Enrique, edhe pse e lodhur dhe me formacion të ndryshuar, e nisi më mirë ndeshjen. Vetëm pas gjashtë minutash, Barcola realizoi pas një kombinimi perfekt me Doué, duke i dhënë avantazhin PSG-së (1-0). Por reagimi i Strasbourg nuk vonoi. Me guxim dhe lojë të shpejtë, Panichelli barazoi me një goditje të saktë me kokë (1-1, 26’), ndërsa pak para pushimit, Moreira shfrytëzoi një asist magjik nga Barco për të përmbysur rezultatin (1-2, 41’).
Në pjesën e dytë, Strasbourgu befasoi sërish. Vetëm katër minuta pas rifillimit, Panichelli shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën e tij (1-3, 49’), duke ngritur në këmbë tifozët alsasë që kishin udhëtuar në Paris.
Por kampionët e Francës nuk u dorëzuan. Një top i gjatë nga Beraldo u kthye në rast të artë kur Doué u rrëzua nga portieri Penders në zonë, dhe gjyqtari akordoi penallti. Gonçalo Ramos, megjithëse jo në ditën e tij më të mirë, u tregua i saktë nga pika e bardhë (2-3, 58’).
Me presionin në rritje, PSG arriti të barazojë në minutën e 79-të me Senny Mayulu, që përfitoi nga një aksion i ndërtuar bukur në krahun e djathtë (3-3). Për pak, Panichelli do të kishte njeriu i mbrëmjes me një triplë historike, por goditja e tij në minutën e 85-të kaloi ngjitur me shtyllën.
Pas këtij barazimi spektakolar, PSG mbetet në krye të Ligue 1 me vetëm një pikë më shumë se Strasbourgu, por pozicioni i tyre mund të rrezikohet nga Marseille dhe Lyon, që do të luajnë respektivisht ndaj Le Havre dhe Nice gjatë fundjavës.
Një natë e madhe futbolli në Paris dhe një paralajmërim se ky sezon i Ligue 1 mund të jetë më i luftuari i viteve të fundit.