
Në Gjykatën e Prishtinës shfaqen prova audiovizive, në sallë të gjithë të akuzuarit përfshirë ish-bashkëshortin Naim Murseli
Në Gjykatën e Prishtinës janë paraqitur prova të reja audiovizive në procesin gjyqësor për vrasjen e Liridona Ademaj, ngjarje e ndodhur më 29 nëntor 2023. Gjatë seancës janë dëgjuar krisma arme si dhe britmat e fëmijëve, audio që u prezantua përpara trupit gjykues dhe të pranishmëve në sallë.
Në seancë ishin të pranishëm të gjithë të akuzuarit, përfshirë ish-bashkëshortin e viktimës, Naim Murseli. Fillimisht, para gjykatës u shfaqën pamje që lidhen me vendin e ngjarjes, ndërsa më pas u prezantuan edhe video nga një karburant, ku shihen Naim Murseli dhe Granit Plava.
Gjatë administrimit të provave materiale, trupi gjykues u njoh edhe me pamje të regjistruara në restorantin “Etnokuqa”. Në video shihet momenti kur Liridona Ademaj, Naim Murseli dhe fëmijët hyjnë në ambientet e restorantit, ndërsa disa minuta më vonë, në një tavolinë pranë tyre, ulet edhe Granit Plava.
Pamjet tregojnë gjithashtu se Naim Murseli lëviz brenda restorantit dhe i afrohet tavolinës së Plavës. Sipas deklarimeve të mëhershme të Granit Plavës, ai ka pohuar se arma ishte përgatitur nga vetë Naim Murseli me pesë fishekë dhe se në natën kritike ishte Murseli ai që hapi pak xhamin e veturës, përpara se të kryhej akti fatal.
Provat audiovizive të shfaqura në seancë konsiderohen kyçe për zbardhjen e rrethanave të vrasjes dhe për rolin e secilit prej të akuzuarve. Procesi gjyqësor vijon, ndërsa gjykata pritet të administrojë edhe prova të tjera në seancat në vijim.
