
32-vjeçari, i dyshuar si autor i vrasjes në Elbasan, rezulton të ketë qenë nën masën arrest shtëpie për pastrim parash dhe me pasuri të sekuestruara nga Prokuroria.
Është publikuar fotoja e Marselo Aranit, 32 vjeç, të cilit policia i ka lëshuar urdhër kërkimi si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit Edmond Mëhalla, ekzekutuar dy ditë më parë në Elbasan. Arani akuzohet se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në atentat së bashku me bashkëpunëtorin tjetër të shpallur në kërkim, Armando Kolën.
Hetimet tregojnë se Marselo Arani ndodhej nën masën e arrestit në banesë, i akuzuar për pastrim parash. Në qershor, Prokuroria e Elbasanit i sekuestroi 14 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, pasi zbuloi transaksione financiare të shumta të lidhura me aktivitet të paligjshëm.
Sipas dosjes hetimore, të ardhurat e përfituara nëpërmjet rrjeteve të prostitucionit janë ricikluar përmes investimeve në prona, duke u paraqitur si burime të ligjshme. Kjo skemë dyshohet se ka qenë e strukturuar dhe e vazhdueshme.
Policia po vijon kërkimet në disa zona të Elbasanit dhe më gjerë për kapjen e Aranit dhe Kolës, ndërsa hetimet për motivet dhe rrethanat e plota të ekzekutimit të Mëhallës mbeten aktive.
