Policia e Durrësit ka konfirmuar lajmin e VoxNews lidhur me vdekjen e një personi, si pasojë e motit të keq.
Sipas njoftimit zyrtar, pas kërkimeve intensive të kryera nga shërbimet e Policisë dhe palombarët e RENEA-s, është gjetur trupi i pajetë i Astrit Hysenaj, 54 vjeç, i cili ishte larguar nga banesa.
Gazetari Robert Hasa raportoi se Astrit Hysenaj ishte punonjës i ndërmarrjes komunale.
Trupi u gjet në një kanal kullues, në afërsi të ish-repartit Ushtarak.
Paraprakisht, autoritetet dyshojnë se 54-vjeçari është marrë nga rrjedha e ujit, si pasojë e kushteve të krijuara në zonë.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet edhe ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për largimin nga banesa të shtetasit A. H., 54 vjeç, informojmë se pas kërkimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe nga polumbarët e Reneas, u gjet trupi i pajetë i 54-vjeçarit, në një kanal kullues në afërsi të Ish-repartit Ushtarak.
Paraprakisht dyshohet se shtetasi A. H. është marrë nga rrjedha e ujit.
Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon në drejtimin e Prokurorisë, për të sqaruar dhe dokumentuar rrethanat e rastit.
Vox news
