
Në takimin zyrtar në New Delhi, presidenti rus dhe kryeministri indian nënvizuan besimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin strategjik energjetik deri në vitin 2030
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia do të vazhdojë t’i furnizojë Indisë naftë, gaz dhe qymyr pa ndërprerje, duke e cilësuar Moskën si një partner të besueshëm energjetik. Deklarata u bë gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Narendra Modi në New Delhi, pas një takimi zyrtar që zgjati rreth dy orë e gjysmë.
Putin tha se bashkëpunimi me Indinë ka një bazë historike të fortë dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të bazuara në besim të madh politik dhe ekonomik. Gjatë vizitës, ai u prit në pallatin presidencial nga Modi dhe presidentja indiane Droupadi Murmu, ku pas ekzekutimit të himneve kombëtare dhe vizitës në memorialin e Mahatma Gandhit, u zhvilluan takimet dypalëshe dhe më pas ato me delegacionet e zgjeruara.
Të dy vendet ranë dakord për një program bashkëpunimi ekonomik deri në vitin 2030, që synon zgjerimin dhe diversifikimin e shkëmbimeve tregtare. Modi tha se India dhe Rusia po punojnë për finalizimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me Unionin Ekonomik Euroaziatik, që përfshin Rusinë, Armeninë, Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Kirgistanin.
Putin i cilësoi bisedimet si shumë të dobishme dhe konfirmoi se janë firmosur disa marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit strategjik. Sipas tij, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë karakter historik dhe janë të ndërtuara mbi partneritet afatgjatë.
Në lidhje me luftën në Ukrainë, Modi theksoi se India nuk qëndron neutrale, por është në anën e paqes, duke përsëritur qëndrimin e New Delhi-t për dialog dhe zgjidhje diplomatike të konfliktit.
