
Një valë kërkimesh shkencore të paprecedentë ka shpërthyer në Rusi pasi vetë presidenti Vladimir Putin ka miratuar atë që mediat e quajnë “gara për pavdekësi”, një program kombëtar për zgjatjen ekstreme të jetës njerëzore dhe ndalimin e procesit të plakjes.
Sipas burimeve nga Moska, një pjesë e madhe e fondeve shtetërore i janë besuar Marias Vorontsova, vajza e madhe e Putinit dhe endokrinologe me karrierë akademike në fushën e gjenetikës dhe hormoneve të rritjes. Ajo është bërë figura qendrore e projektit “NowAge”, që synon zhvillimin e terapive biologjike për rigjenerimin qelizor dhe kontrollin e plakjes.
Programi përfshin bashkëpunime me institute kërkimore dhe kompani bioteknologjike të lidhura me qeverinë, ndërsa raportet flasin për shuma prej miliarda dollarësh të investuara në laboratorë sekretë që po zhvillojnë teknologji të ADN dhe manipulime hormonale.
Sipas analistëve, kjo fushatë për “pavdekësi shkencore” është edhe një projekt politik personal i Putinit për të lënë pas një trashëgimi që shkon përtej pushtetit. “Në Rusi po krijohet miti i liderit që kërkon të sfidojë vdekjen,” shkruajnë disa media perëndimore, duke e lidhur iniciativën me ambicien e Kremlinit për të treguar se Rusia mund të udhëheqë botën edhe në kërkimin për jetën e përjetshme.
Por kritikët paralajmërojnë për mungesë transparence dhe përqendrim të fondeve tek një rreth shumë i ngushtë njerëzish pranë presidentit. Projekti i Marias Vorontsova shihet nga opozita si kombinim mes shkencës dhe nepotizmit, ndërsa bota e shkencës mbetet skeptike për mundësinë reale të ndalimit të plakjes.
Në çdo rast, gara për “pavdekësi” që ka nisur në Moskë po kthehet në një tjetër mjet propagandistik për regjimin rus, një përpjekje për të ringjallur mitin e përjetësisë së carëve, këtë herë nën emrin e Vladimir Putinit.