 
        Në muajt e parë të mandatit të tij të dytë, Donald Tramp është përballur me një ofensivë të sofistikuar diplomatike nga Kremlini. Sipas analizave të ekspertëve të sigurisë ndërkombëtare, Vladimir Putin ka përdorur një përzierje lajkatare, presioni dhe premtimesh për ta ndikuar presidentin amerikan në qëndrimet e tij ndaj luftës në Ukrainë.
Putin ka lavdëruar Trampin për ndërmjetësimin në armëpushimin Izrael–Hamas dhe madje ka përforcuar idenë se nëse ai do të ishte president në vitin 2022, Rusia nuk do të kishte nisur luftën kundër Ukrainës. Njëkohësisht, Moska ka shfrytëzuar frikën e Trampit ndaj përshkallëzimit bërthamor dhe kërcënimet e përsëritura të Rusisë për përdorimin e armëve strategjike si një mjet presioni psikologjik.
Krahas fjalëve të mira, Kremlini i ka ofruar Shtëpisë së Bardhë bashkëpunime ekonomike të mëdha. Nga minierat e metaleve të rralla në Siberi deri te projektet e përbashkëta në Arktik, Putini i ka dërguar sinjale Trampit për mundësi të jashtëzakonshme tregtare. Madje, një nga të dërguarit e tij, Kirill Dmitriev, propozoi ndërtimin e një tuneli që do të lidhte Rusinë me Alaskën – ide që Trump e quajti interesante.
Megjithatë, marrëdhëniet mes dy liderëve kanë hyrë në një fazë ngrirjeje. Planet për një takim të dytë midis tyre u anuluan pas refuzimit të Moskës për armëpushim dhe vendosjes nga Tramp të sanksioneve ndaj kompanive më të mëdha të naftës ruse, Rosneft dhe Lukoil. Sipas ekspertëve amerikanë, Putini ka vendosur të mos pranojë asnjë kompromis me Uashingtonin nëse ai nuk sjell dorëzimin de facto të Ukrainës.
Analistët theksojnë se qëllimi i Putinit mbetet fitorja e plotë në Ukrainë, ndërsa Tramp kërkon një marrëveshje paqeje për ta paraqitur si sukses diplomatik. Ky përplasje interesash ka bllokuar çdo progres dhe ka kthyer në iluzion çdo përpjekje për afrimin e Moskës dhe Uashingtonit.
Ndërsa Tramp përpiqet të shmangë një përshkallëzim ushtarak, Putini vazhdon ta testojë kufirin e durimit të tij, me fjalë, me armë dhe me shfaqje force. Në këtë lojë të rrezikshme nervash, Rusia duket se ka vendosur të mos negociojë më asgjë, derisa të ndiejë se ka fituar gjithçka në fushën e betejës.

 
         
         
        