
Pas ndërprerjeve të rrymës në centralin e Zaporizhias, akuzat mes Moskës dhe Kievit ngrejnë frikën e një katastrofe bërthamore në zemër të Evropës.
Në një klimë gjithnjë e më të tensionuar mes Rusisë dhe Ukrainës, Presidenti Vladimir Putin ka akuzuar Kievin për sulm të drejtpërdrejtë ndaj linjave të tensionit të lartë që furnizojnë centralin bërthamor të Zaporizhias, më të madhin në Evropë. Nga ana tjetër, Ukraina e konsideron këtë një propagandë të rrezikshme, duke akuzuar Rusinë për sabotim të qëllimshëm me synimin për ta shkëputur përfundimisht centralin nga rrjeti energjetik ukrainas.
Centrali me gjashtë reaktorë, i pushtuar nga trupat ruse që prej vitit 2022, ndodhet vetëm 10 kilometra larg vijës së frontit. Edhe pse reaktorët janë të fikur, dhjetëra inxhinierë të dërguar nga Moska po përpiqen të rifillojnë prodhimin e energjisë, një veprim që ekspertët e quajnë jashtëzakonisht i rrezikshëm.
Putin deklaroi se sulmet ukrainase kishin shkaktuar një ndërprerje të plotë energjie, duke detyruar aktivizimin e gjeneratorëve me naftë. “Nëse ata luajnë me zjarrin, duhet të kujtojnë se kanë një central bërthamor aktiv në territorin e tyre”, -paralajmëroi ai në një forum në Shën Petersburg.
Ukraina menaxhon edhe tri centrale të tjera bërthamore, si dhe Çernobilin, simbolin tragjik të katastrofës bërthamore të vitit 1986. Si Çernobili, edhe Zaporizhia ka nevojë për furnizim të pandërprerë me energji për sistemet e ftohjes së karburantit bërthamor. Çdo ndërprerje mund të çojë në mbinxehje fatale.
Problemi thellohet nga fakti se reaktorët e Zaporizhias përmbajnë shufra uraniumi amerikane të kompanisë Westinghouse, më të reja dhe më të nxehta sesa ato të prodhimit rus, të cilat kërkojnë vite për t’u ftohur mjaftueshëm që të hiqen në mënyrë të sigurt. “Radioaktiviteti është aq i fuqishëm, saqë lënda nuk mund të transportohet ose të trajtohet derisa të përfundojë ciklin e saj në një reaktor aktiv”, -tha një ish-inxhinier i centralit që u largua në Kiev.
Një tjetër rrezik është mungesa e ujit ftohës. Pas shkatërrimit të digës së Nova Kakhovkës në qershor 2023, rezervuari gjigant që furnizonte centralin u zhduk pothuajse plotësisht. Edhe pse rusët po përpiqen të sjellin ujë në mënyra të improvizuara, inxhinierët paralajmërojnë se sasia nuk mjafton për ta vënë në funksion asnjë nga reaktorët.
Ndërkohë që Moska pretendon se po mbron centralin nga sabotazhi ukrainas, organizata Greenpeace publikoi imazhe satelitore me rezolucion të lartë që rrëzojnë pretendimet e Putinit. Sipas analizës së saj, nuk ka asnjë provë për goditje ajrore pranë linjave të tensionit të lartë, duke sugjeruar se ndërprerja është një akt i qëllimshëm sabotimi nga Rusia, për të shkëputur përfundimisht Zaporizhian nga rrjeti ukrainas dhe për ta lidhur me rrjetin energjetik të territoreve të pushtuara.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo tentativë e Rusisë për ta rilidhur centralin me rrjetin e vet energjetik do të përkeqësonte situatën strategjike dhe do të rriste ndjeshëm rrezikun e një aksidenti bërthamor në një zonë ende të përfshirë në luftime.
Sipas analistit Aleksey Kushch, Moska e kupton se furnizimi i qëndrueshëm me energji është kusht i domosdoshëm për të mbajtur territoret e pushtuara dhe për të zgjeruar kontrollin e saj në rajonin e Zaporizhias.
Në një kohë kur bota mban frymën, çdo blackout në Zaporizhia është më shumë sesa një çështje teknike, është një kujtesë e frikshme se sa afër ndodhet Evropa me një tjetër katastrofë bërthamore.