Presidenti rus njofton përfundimin e provës përfundimtare të raketës me rreze veprimi deri në 14 mijë kilometra, duke e cilësuar të pakrahasueshme në botë.
Presidenti rus Vladimir Putin ka konfirmuar se Rusia ka përfunduar me sukses testin përfundimtar të raketës së re të lundrimit me propulsor bërthamor “Bourevestnik”, një armë strategjike me rreze veprimi të pakufizuar, që pritet të hyjë së shpejti në arsenalin e ushtrisë ruse.
Në një video të publikuar nga Kremlini, Putin deklaroi se testet vendimtare tani janë përmbyllur dhe se ka urdhëruar përgatitjen e infrastrukturës ushtarake për vendosjen e raketës në njësitë operative të forcave të armatosura. “Ky është një krijim unik, që askush tjetër në botë nuk e zotëron,” theksoi ai.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus, Valeri Gerasimov, bëri të ditur se gjatë provës së fundit, të zhvilluar më 21 tetor, raketa “Bourevestnik” qëndroi në fluturim për rreth 15 orë, duke përshkuar 14.000 kilometra, distancë që, sipas tij, nuk përbën kufi për kapacitetet e saj. Ai shtoi se raketa mund të godasë me saktësi të garantuar objektiva të mbrojtur në çdo pjesë të globit.
Putin kishte njoftuar për zhvillimin e këtij armamenti që në vitin 2018, duke e paraqitur si një përgjigje ndaj sistemit të mbrojtjes raketore të SHBA dhe NATO. Sipas Kremlinit, “Bourevestnik” është projektuar për të kapërcyer pothuajse të gjitha sistemet ekzistuese të interceptimit.
Ky zhvillim vjen në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare, teksa Rusia vazhdon ofensivën e saj në Ukrainë dhe përballet me izolim të shtuar diplomatik nga Perëndimi. Analisët ushtarakë e cilësojnë këtë test si një sinjal të ri force nga Moska për të treguar se mbetet një fuqi bërthamore me teknologji të avancuar strategjike.
