
Deklaratat e Kremlinit, lëvizjet diplomatike të SHBA dhe presioni në front sjellin një ditë tensioni të lartë në luftën që po hyn në fazën më të pasigurt
Presidenti rus Vladimir Putin ka ngritur tonet këtë të martë duke deklaruar se Moska është e gatshme për një përballje të drejtpërdrejtë me Europën nëse, siç u shpreh ai, kontinenti vendos të nisë një konflikt të hapur. Kreu i Kremlinit tha se Rusia nuk e kërkon luftën, por është e përgatitur menjëherë, duke akuzuar disa vende europiane se po sabotojnë përpjekjet diplomatike të SHBA për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Deklarata e tij erdhi pak para takimit në Moskë me të dërguarin amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët po përpiqen të ndërmjetësojnë një plan të ri për armëpushim. Ndërkohë, Kievi paralajmëroi aleatët se Rusia po përdor bisedimet diplomatike për të dobësuar paketat e sanksioneve, duke vënë në dukje se inteligjenca ukrainase ka prova të qëllimit të Moskës për të fituar kohë.
Në front, ushtria ukrainase njoftoi se luftimet në Pokrovsk vazhdojnë, ndonëse Moska pretendon ta ketë marrë të gjithë qytetin. Sipas ushtrisë ukrainase, forcat e saj po zhvillojnë operacione urbane dhe kundërsulme në zonat e kapura rishtas. Ukraina raportoi gjithashtu se në muajin nëntor Rusia ka lëshuar mbi 5.600 dronë dhe raketa në sulme të natës, duke shënuar një rritje krahasuar me muajin paraardhës.
Në Europë, Gjermania ka vënë në funksion njësinë e re policore kundër dronëve, e cila pritet të reagojë ndaj çdo incidenti në zonat strategjike. Aksioni vjen pasi autoritetet gjermane kanë vënë re një rritje të fluturimeve të paautorizuara të dronëve, për të cilat dyshojnë se lidhen me shërbimet ruse.
Paralelisht, Tribunalet Ndërkombëtare të Sportit kanë hapur rrugën që sportistët rusë dhe bjellorusë të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore 2026 nën status neutral, ndërsa Danimarka dhe Ukraina zyrtarizuan nisjen e ndërtimit të një fabrike municionesh në territorin danez për të rritur kapacitetin e prodhimit të armëve të Kievit.
Nga ana politike, presidenti francez Emmanuel Macron, pas takimit me Zelenskyn, e cilësoi të gabuar idenë për të kritikuar Kievin për korrupsion në një moment lufte, duke theksuar se kërcënimi i vërtetë për Europën mbetet Rusia. Ndërkohë, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, paralajmëroi se java që vjen do të jetë vendimtare për të ardhmen e Ukrainës, duke kërkuar unitet dhe presion të përbashkët ndaj Moskës.
Konflikti ka hyrë në një fazë të re tensioni, ku ofensiva ruse në terren, diplomacia ndërkombëtare dhe frikërat europiane për përshkallëzim po ndërthuren në një panoramë të pasigurt për muajt e ardhshëm.
