


Mushkëria 77-vjeçare e Vlorës, e ngritur me punë vullnetare, po zhduket nën neglizhencën e Bashkisë, AKZM, Prefekturës dhe IKMT.
Pylli i Sodës në Vlorë, dikur mishërimi i gjelbërimit dhe barierës natyrore që mbronte qytetin, po shkatërrohet në mënyrë dramatike. Zona që breza të tërë e kanë ndërtuar me djersë dhe përkushtim është sot një hapësirë e braktisur, e ndotur dhe e cënuar në çdo centimetër të saj. Institucionet që duhet ta mbrojnë kanë zgjedhur heshtjen, ndërsa aktorët abuzivë e shfrytëzojnë në çdo formë.
Ky pyll artificial u krijua në vitet 1947-48, kur zona ishte një moçal i ndotur me mushkonja, duna rëre dhe depresione ujore. Falë punës vullnetare të banorëve, nxënësve dhe organeve pyjore të kohës, ai u transformua në një pyll 550 hektarësh, të dendur me pisha dhe me funksione të rëndësishme higjieno-sanitare. Më vonë, në vitin 1968, u hartua projekti i madh për pyllëzimin e gjithë brezit bregdetar, me qëllim rikonstruksionin estetik dhe ekologjik të zonës.
Banorët tregojnë me trishtim se dikur askush nuk guxonte të prekte as një degë të thatë, sepse kishte rregull, patrullim dhe një kulturë respekti për mjedisin. Sot, në pyll kanë mbetur vetëm harabela, sepse çdo gjallesë tjetër është zhdukur nga ndërhyrjet e njeriut dhe nga moskujdesja e institucioneve.
Në terren situata është alarmante. Rrugët janë të mbuluara me mbeturina plastike, materiale inerte, shkarpa të pamenaxhuara dhe gjurmë zjarresh të pashuara mirë. Në disa zona ka rrethime të paligjshme të vendosura nga individë që pretendojnë pronësi, ndërsa ndërtime pa leje kanë avancuar thellë brenda hapësirës së pyllit. Ironikisht, ndotja më e madhe shfaqet në pjesën që administrohet nga Bashkia e Vlorës, ndërkohë që AKZM dhe IKMT mungojnë plotësisht në terren.
Asnjë prej institucioneve përgjegjëse nuk ka kryer një aksion të rregullt pastrimi, inspektimi apo ndëshkimi, ndonëse problemet janë denoncuar prej vitesh. Raportet më të fundit tregojnë se edhe iniciativat e paralajmëruara për mbjellje pemësh, pastrime apo rivitalizim janë thjesht premtime boshe. Pylli i Sodës është sot më i ndotur se kurrë dhe po humbet identitetin e tij natyror.
Qytetarët e Vlorës shprehen të revoltuar dhe kërkojnë kthimin e mushkërisë së qytetit. Ata thonë se pa këtë pyll, Vlora humbet një pjesë të jetës së saj. “Ky pyll është i Vlorës, është mushkëria jonë. Pa të nuk ka jetë”, deklarojnë banorët. Për ta, institucionet jo vetëm kanë dështuar, por kanë lejuar që të degradohet një pasuri kombëtare e ndërtuar me djersën e gjyshërve të tyre.
Specialistët kërkojnë rikthimin e administrimit profesional te Ndërmarrja e Pyjores, ndërhyrje urgjente, ndalimin e rrethimeve dhe ndërtimit pa leje, pastrimin periodik dhe krijimin e një plani real menaxhimi. Nëse nuk veprohet tani, rrezikohet humbja e plotë e një prej pasurive më të mëdha natyrore që ka Vlora.
Pylli i Sodës po vdes dhe përgjegjësit janë të identifikueshëm. Pyetja që shtrohet është: A ka ende vullnet për ta shpëtuar?!
