
Kryeministri njofton bisedimet me drejtorin e përgjithshëm të linjës ajrore, duke sinjalizuar hyrjen e kompanisë në tregun shqiptar
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Doha me drejtorin e përgjithshëm të Qatar Airways, Badr Mohammed Al-Meer, ku temë kryesore ishte zgjerimi i linjës ajrore prestigjioze drejt Shqipërisë. Rama bëri të ditur se bisedimet janë në fazë të avancuar dhe se shumë shpejt priten fluturime direkte të Qatar Airways drejt Tiranës.
Ai u shpreh se hyrja e kompanisë në Shqipëri do të ishte një zhvillim i rëndësishëm për transportin ajror dhe turizmin, duke shtuar se marrëveshja pritet të finalizohet së afërmi.
Qatar Airways konsiderohet një ndër kompanitë më të fuqishme dhe më të vlerësuara në botë, ndërsa angazhimi i saj në tregun shqiptar shihet si një hap që mund të rrisë ndjeshëm kapacitetet lidhëse të vendit me Lindjen e Mesme, Azinë dhe destinacione të tjera ndërkombëtare.
