
Sekretari amerikan i Shtetit e cilëson regjimin kuban si problem madhor për sigurinë e SHBA dhe lë të hapur mundësinë e veprimeve të reja pas operacionit në Venezuelë
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka ngritur tone të forta ndaj Kubës, duke e cilësuar qeverinë e Havanës si një problem serioz për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe duke lënë të kuptohet se ajo mund të jetë objektivi i radhës i administratës Tramp.
Në një intervistë për median amerikane NBC News, Rubio u pyet drejtpërdrejt nëse Kuba mund të jetë shënjestra e ardhshme pas operacionit ushtarak të SHBA në Venezuelë, ku u kap presidenti Nicolás Maduro. Në përgjigje, ai u shpreh se qeveria kubane është në telashe të mëdha, pa dhënë detaje konkrete mbi hapat e ardhshëm.
Rubio theksoi se administrata Tramp udhëhiqet nga një parim i qartë, mbrojtja e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të Shteteve të Bashkuara, duke justifikuar ndërhyrjen në Venezuelë si pjesë të një lufte më të gjerë kundër trafikut të drogës dhe ndikimeve të huaja armiqësore në hemisferën perëndimore.
Ai akuzoi Kubën për mbështetje të regjimeve dhe strukturave që, sipas tij, minojnë stabilitetin rajonal dhe shërbejnë si pika ndikimi për aktorë të rrezikshëm ndërkombëtarë, përfshirë Iranin dhe organizata të lidhura me terrorizmin.
Duke komentuar reagimet kritike ndaj operacionit në Venezuelë, Rubio deklaroi se krahasimet me skenarë si Libia, Iraku apo Afganistani janë të pavlefshme, duke insistuar se situata në Amerikën Latine është thelbësisht e ndryshme dhe kërkon qasje të vendosura.
Sekretari i Shtetit bëri të ditur gjithashtu se SHBA do të vijojë goditjet ndaj rrjeteve të trafikut të drogës, përfshirë sekuestrimin e anijeve të sanksionuara dhe ndërhyrjet ndaj mjeteve që transportojnë lëndë narkotike drejt territorit amerikan.
Deklaratat e Rubios kanë rritur ndjeshëm tensionet diplomatike në rajon dhe pritet të nxisin reagime të forta nga Kuba dhe aleatët e saj, ndërsa komuniteti ndërkombëtar mbetet në pritje të hapave konkretë që mund të ndërmarrë Uashingtoni në ditët në vijim.
