Qeveria ka përgatitur një draft për amnisti penale, i cili pritet të kalojë fillimisht në Këshillin e Ministrave dhe më pas në Kuvend. Dokumenti, i siguruar nga Report Tv, parashikon përfitime për mbi 10 mijë persona, mes tyre rreth 380 të burgosur që do të lirohen menjëherë dhe afro 1 mijë të tjerë që do të përfitojnë ulje dënimi.
Sipas draftit, lirim të menjëhershëm do të përfitojnë burrat që janë dënuar deri në 3 vite burg ose u ka mbetur për të vuajtur deri në 3 vite, si dhe gratë e dënuara deri në 4 vite ose me 4 vite të mbetura burg. Po ashtu, amnistia përfshin gratë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe personat që në momentin e kryerjes së veprës penale kanë qenë 18 vjeç ose më të vegjël, me përjashtim të veprave të rënda penale.
Drafti parashikon gjithashtu ulje dënimi me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit, ndërsa rreth 9 mijë persona të tjerë përfitojnë pushim të ndjekjes penale për vepra të kryera deri më 31 dhjetor 2025, të dënueshme deri në 3 vite burg.
ADVERTISING
Nga amnistia përjashtohen 19 kategori veprash të rënda penale, përfshirë krimet kundër jetës, krimet seksuale, korrupsionin, terrorizmin, bandat e armatosura, si dhe të gjitha veprat që gjykohen nga GJKKO.
LIROHEN MENJËHERË NGA BURGU (me përjashtimet e ligjit)
Burrat e dënuar deri në 3 vite ose më pak
Gratë e dënuara deri në 4 vite ose më pak
Burrat që u ka mbetur deri në 3 vite burg
Gratë që u ka mbetur deri në 4 vite burg
Burrat që janë 60-vjeç ose më shumë
Gratë që janë 50-vjeç ose më shumë
Të gjithë ata që ishin 18-vjeç kur kryen krimin
VEPRA PENALE QË PËRJASHTOHEN NGA AMNISTIA
Krime kundër njerëzimit
Krime kundër shëndetit
Krime kundër lirisë së personit
Krime kundër moralit dhe dinjitetit
Krime kundër fëmijëve, martesës e familjes
Krime kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike
Krime të falsifikimit të dokumenteve
Krime kundër të tokës e të ndërtimeve
Krime kundër pavarësisë e rendit kushtetues
Krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera
Krime me qëllime terroriste
Krime kundër autoritetit të shtetit
Krime kundër drejtësisë
Krimet nga banda të armatosura dhe organizata kriminale
Krime që gjykohen nga GJKKO
