

Nga hapësirë për qytetarët, në kantier kullash, Tirana humb edhe copën e fundit të së mirës publike
Në zemër të Tiranës, aty ku dikur qytetarët parkonin makinën për 100 lekë, sot po ngrihen kulla. Qeveria shqiptare ka miratuar një tjetër leje ndërtimi për oligarkun Bashkim Ulaj, duke përfshirë në perimetrin e projektit të tij edhe parkingun publik që administrohej nga Bashkia e Tiranës. Ky ishte i vetmi vend me tarifa të përballueshme për qytetarët: 1 deri në 3 orë, vetëm 100 lekë.
Por tashmë, kjo hapësirë publike është fshirë nga harta. Aty ku duhej të kishte shërbim social, qeveria ka zgjedhur të vendosë beton. Nuk bëhet më fjalë për zhvillim urban, por për grabitje urbane. Ndërsa ndërtuesit rrisin fitimet, qytetarët humbasin çdo hapësirë publike që u përkiste, madje edhe të drejtën për të parkuar.
Kush e mbron të mirën publike kur qeveria vetë e shet atë? Ku janë politikat sociale të një shteti që duhet të garantojë barazi e shërbim, jo privilegj për pakica të pasura?

Rasti i Liqenit Artificial nuk është më vetëm një histori ndërtimi, është simbol i një Tirane që po mbytet nën beton, ku qytetari i thjeshtë shtyhet gjithnjë e më tej, për t’i hapur rrugë oligarkut që blen çdo copë toke, edhe atë që ishte e të gjithëve.