
Armëpushimi në Gaza hyn në fuqi pas dy vitesh lufte, pengjet do të lirohen brenda 72 orëve
Qeveria izraelite ka miratuar fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin, e arritur në Egjipt me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara. Marrëveshja parashikon lirimin e të gjithë pengjeve izraelite, të gjallë ose të vdekur, dhe ndalimin e përkohshëm të luftimeve në Rripin e Gazës.
Sipas zëdhënëses së kryeministrit Benjamin Netanyah, Shosh Bedrosian, të gjithë pengjet do të lirohen brenda 72 orëve pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, duke e bërë të mundur zbatimin e menjëhershëm të planit. Marrëveshja u arrit pas katër ditësh negociatash intensive në Kajro, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të SHBA, Egjiptit dhe palëve të konfliktit.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka ushtruar presion të fortë për arritjen e këtij kompromisi, pritet të vizitojë rajonin të hënën ose të martën. “Pengët do të kthehen, dhe unë shpresoj të jem atje për të parë momentin e lirimit të tyre”, -deklaroi Trump.
Marrëveshja është pjesë e një plani paqeje me 20 pika të shpallur nga Donald Trump më 29 shtator, që synon t’i japë fund konfliktit dyvjeçar në Gaza. Lufta nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku u rrëmbyen 251 persona. Sipas ushtrisë izraelite, 47 prej tyre ende mbahen peng, të paktën 25 të vdekur.
Nga ana tjetër, ofensiva izraelite në Gaza ka shkaktuar më shumë se 67 mijë viktima, kryesisht civilë, dhe një krizë të thellë humanitare. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, tha se “lirimi i pengjeve duhet të shënojë fundin e luftës”.
Në Tel Aviv, qindra njerëz dolën në sheshe për të festuar vendimin e qeverisë, duke mbajtur pankarta me mbishkrimin “Ata po kthehen”. “E kemi pritur këtë ditë për 734 ditë,” -tha një familjar i pengjeve, Laurence Yitzhak.
Sipas planit, ushtria izraelite do të tërhiqet nga disa zona të Gazës brenda 24 orëve, duke mbajtur kontrollin mbi rreth 53 për qind të territorit gjatë fazës së parë. Faza e dytë do të përfshijë çarmatimin e Hamasit dhe krijimin e një “komiteti paqeje” nën mbikëqyrjen e Donald Trump, që do të monitorojë procesin politik dhe humanitar.
Ndërkohë, Hamasi ka konfirmuar se pengjet e gjalla do të shkëmbehen me rreth 2,000 të burgosur palestinezë që mbahen nga Izraeli, në përputhje me marrëveshjen e arritur në Kajro.
Në Gazë dhe në qytetin Khan Younis, qytetarët festuan lajmin me brohoritje e flamuj, ndërsa në Tel Aviv njerëzit u përqafuan në “Sheshin e Pengjeve”.
Presidenti izraelit falënderoi publikisht Donald Trampin dhe presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi për ndërmjetësimin, duke thënë se Tramp e meriton Çmimin Nobel për Paqen për këtë arritje.
Ky zhvillim konsiderohet një kthesë historike në konfliktin izraelito-palestinez, megjithëse shumë vëzhgues paralajmërojnë se rruga drejt paqes së qëndrueshme mbetet e pasigurt dhe e mbushur me sfida politike e humanitare.