Pas miratimit në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, dokumenti financiar i vitit të ardhshëm do të kalojë për shqyrtim në Kuvend, ku priten diskutime intensive në komisione dhe në seancën plenare të dhjetorit.
Qeveria shqiptare ka miratuar sot projektbuxhetin e vitit 2026, duke hapur rrugën për procesin parlamentar të shqyrtimit dhe miratimit të tij. Vendimi u mor në mbledhjen e pasdites së Këshillit të Ministrave, ndërsa dokumenti financiar pritet t’i dorëzohet menjëherë Kuvendit.
Burime nga kabineti qeveritar bëjnë me dije se të mërkurën, gjatë Konferencës së Kryetarëve, do të përcaktohet kalendari i plotë i diskutimeve në komisionet parlamentare, ku ministritë përkatëse do të paraqesin detajet e shpenzimeve dhe prioriteteve të buxhetit të ardhshëm.
Sipas planifikimit, debati në parim për projektbuxhetin do të zhvillohet më 19 nëntor, ndërsa diskutimi nen për nen në seancën plenare pritet të mbahet më 11 dhjetor.
Qeveria ka paralajmëruar se buxheti i vitit 2026 do të fokusohet në rritjen ekonomike, mbështetjen e familjeve në nevojë dhe investimet publike në infrastrukturë, energji dhe arsim, ndërsa opozita ka sinjalizuar se do të kërkojë transparencë mbi nivelin e borxhit publik dhe eficiencën e shpenzimeve shtetërore.
