Projektligji i ri për ndryshimet në Kodin Penal parashikon ndëshkime shumë më të rënda për shkeljet që lidhen me mbrojtjen e territorit, ndërtimet e paligjshme dhe zjarrvëniet, duke vendosur burgime që arrijnë deri në 15 vjet.
Në kuadër të diskutimeve për një Kod Penal të ri, qeveria ka përgatitur një paketë ndryshimesh të cilat synojnë të forcojnë ndëshkimin për disa vepra që konsiderohen problematike dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në territor. Fokusi kryesor i nismës është vendosja e masave më të ashpra për pushtimin e tokës, ndërtimet pa leje dhe zjarrvëniet, çështje që vitet e fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe mjedisore.
Pushtimi i tokës me burg deri në 6 vjet
Neni aktual i Kodit Penal që trajton “pushtimin e tokës” do të zëvendësohet nga formulimi “zënia e tokës” dhe do të zgjerohet me katër paragrafë të rinj. Dënimet e reja variojnë nga 6 muaj deri në 6 vite burg, në varësi të rrethanave të shkeljes. Në rastet kur në shkelje përfshihen zyrtarë të institucioneve që kanë detyrë mbrojtjen e territorit, dënimi shoqërohet edhe me ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.
Ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura
Projektligji parashikon gjithashtu dënime më të rënda për ndërtimet e paligjshme, sidomos në zonat e trashëgimisë kulturore dhe të mbrojtjes natyrore. Sipas ndryshimeve, ndërtuesit pa leje në këto territore do të përballen me burgim nga 5 deri në 10 vjet, ndërsa zyrtarët që ndihmojnë apo lejojnë shkeljen do të dënohen nga 3 deri në 7 vjet.
Zjarret, ndëshkime deri në 15 vjet burg
Pas një sezoni vere me qindra raste zjarresh që shkatërruan pyje dhe prona private, qeveria ka përfshirë në projektligj një kapitull të posaçëm për zjarrvënien. Dënimi për zjarrvënie që dëmton pronën parashikohet nga 3 deri në 8 vjet burg, ndërsa për rastet që përfshijnë pyje, nga 5 deri në 8 vjet. Nëse zjarri prek zona të mbrojtura apo monumente kulture, dënimi mund të arrijë deri në 10 vjet.
Një risi e rëndësishme është ndëshkimi për zjarrvënie me qëllim ndryshimin e destinacionit të tokës, një praktikë e zakonshme për t’i hapur rrugë ndërtimit. Në këtë rast, dënimi parashikohet të jetë nga 7 deri në 15 vjet burg, ndërsa gjykata do të detyrohet të ruajë statusin e tokës për 30 vite, pa lejuar ndryshimin e saj në tokë ndërtimore.
Autoritetet justifikojnë ndryshimet me nevojën për të frenuar abuzimet që kanë dëmtuar rëndë mjedisin dhe hapësirat publike, ndërsa kritikët paralajmërojnë se masat ndëshkuese nuk mjaftojnë pa një reformë të thellë në zbatimin e ligjit.
Nëse miratohen në Kuvend, këto ndryshime do të shënojnë ndërhyrjen më të fortë në Kodin Penal të viteve të fundit, duke e bërë ligjin shumë më të ashpër për çdo shkelje që prek territorin dhe mjedisin.
