Drafti përjashton fshirjen e kontributeve të sigurimeve, por heq gjoba dhe kamatëvonesat
Qeveria ka depozituar për konsultim publik projektligjin e quajtur “Paqja Fiskale”, i cili synon të fshijë detyrimet tatimore dhe doganore të prapambetura deri më 31 dhjetor 2014. Sipas draftit, falja do të përfshijë të gjitha detyrimet tatimore të papaguara, qofshin ato direkte apo indirekte, të regjistruara në administratën tatimore.
Megjithatë, projektligji parashikon një trajtim të veçantë për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Ndërsa gjobat dhe kamatëvonesat që lidhen me këto detyrime do të fshihen, kontributet që iu takojnë individëve ose bizneseve nuk do të falen dhe duhet të shlyhen.
Sipas Ministrisë së Financave, synimi i nismës është të ulë barrën e detyrimeve të vjetra, të cilat konsiderohen të pambledhshme dhe që rëndojnë bilancet e tatimpaguesve dhe të institucioneve financiare. Qeveria thekson se ky proces do të ndihmojë në “rifreskimin e marrëdhënies fiskale” mes biznesit dhe shtetit, duke krijuar hapësirë për veprimtari të rregullt ekonomike.
Aktualisht drafti është në diskutim me institucionet përkatëse dhe grupet e interesit. Pas mbylljes së konsultimit publik, ai pritet të kalojë për shqyrtim në Këshillin e Ministrave dhe më pas në Kuvend.
