Ministria e Financave ka përgatitur versionin e ri të projektligjit për “Paqen Fiskale”, që i lejon kompanive të mëdha të rideklarojnë pasqyrat financiare të pesë viteve të fundit, pa penalitete, kundrejt një pagese tatimore të reduktuar.
Ministria e Financave ka prezantuar një version të rishikuar të projektligjit “Për marrëveshjen e Paqes Fiskale”, që synon të nxisë transparencën fiskale dhe të shmangë përplasjet mes bizneseve dhe administratës tatimore. Sipas draftit të ri, bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë në vit, të cilat vendosin vullnetarisht të hyjnë në këtë marrëveshje, do të kenë mundësi të korrigjojnë deklarimet e tyre financiare për pesë vitet e fundit, kundrejt një tatimi të vetëm prej 5%.
Kjo nismë parashikon që subjektet që parapaguajnë tatimin mbi fitimin (bazuar në fitimin e vitit të kaluar, i rritur me 18%) të mund të rideklarojnë elementë të ndryshëm financiarë — si gjendjen e parasë “cash”, aktivet, detyrimet apo fitimet e mbartura — pa u penalizuar me gjoba, kamatëvonesa apo interesa.
Sipas projektligjit, tatimi 5% do të aplikohet në këto raste:
Rivlerësimi i gjendjes “cash”: për çdo ndryshim pozitiv ose negativ në raport me gjendjen reale.
Fshirja e aktiveve apo detyrimeve fiktive: për shumat që rezultojnë jashtë pasqyrave të vërteta financiare.
Deklarimi i pasurive të padeklaruara më parë: përfshirë pronat apo aktivet afatgjata materiale dhe jomateriale.
Rideklarimi i fitimeve të mbartura dhe shpërndarja e tyre si dividentë, të cilat do të tatohen me 5%.
Ministria thekson se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është të krijojë një mjedis më bashkëpunues mes administratës tatimore dhe bizneseve, duke u dhënë këtyre të fundit mundësinë të rregullojnë llogaritë pa pasoja ligjore, për sa kohë deklarojnë paraprakisht dëshirën për të përfituar nga kjo lehtësi.
Tatimpaguesit që nuk dëshirojnë të rishikojnë plotësisht deklaratat e pesë viteve të fundit, mund të hyjnë në marrëveshje vetëm për komponentin e fitimit të tatueshëm, sipas normës dhe tatimit përkatës mbi të ardhurat e korporatave ose të biznesit individual.
Projektligji përcakton gjithashtu se në “Paqen Fiskale” nuk do të përfshihen subjektet që përfitojnë nga skema të reduktuara tatimore ose që janë në proces hetimi për evazion apo mashtrim fiskal.
Sipas Ministrisë së Financave, kjo nismë pritet të nxisë korrigjimin vullnetar të bilanceve dhe të rrisë transparencën në sistemin fiskal, duke përmirësuar njëkohësisht marrëdhëniet e biznesit me administratën dhe besueshmërinë e të dhënave financiare në vend.

