
Vizita katër-ditore e kryebashkiakut të New York-ut në Shqipëri, e financuar pjesërisht nga Tirana, ka shkaktuar debat në SHBA për konflikt interesi dhe shkelje të etikës publike.
Vizita e kryebashkiakut të New York, Eric Adams, në Shqipëri ka ndezur polemika të forta në mediat amerikane, pasi u zbulua se një pjesë e shpenzimeve të udhëtimit të tij po mbulohen nga qeveria shqiptare. Sipas raportimit të platformës “Gothamist”, qeveria e Tiranës ka marrë përsipër koston e qëndrimit katër-ditor të Adams në Shqipëri, përfshirë akomodimin dhe transportin tokësor, ndërsa vetë Adams ka udhëtuar me linjat “Lufthansa”.
Kryebashkiaku u ul dje në Vlorë me një helikopter të ushtrisë shqiptare, çka ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje mbi natyrën dhe transparencën e udhëtimit. Vizita e tij ndodh vetëm pak muaj para përfundimit të mandatit, pas dorëheqjes nga gara për rizgjedhje për shkak të sondazheve të dobëta dhe problemeve të financimit të fushatës.
Sipas zyrës së Adams, qëllimi i udhëtimit është forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe turistike mes New York dhe Shqipërisë, si dhe takime me kryeministrin Edi Rama dhe drejtues biznesi lokalë. Por në SHBA, zërat kritikë nuk kanë munguar.
“Kryetarët e bashkive nuk duhet të pranojnë dhurata nga qeveritë e huaja. Është krejtësisht e papranueshme,” – deklaroi John Kaehny, drejtues i organizatës për qeverisje të mirë Reinvent Albany.
Kaehny theksoi se një udhëtim i tillë duhet të financohet nga taksapaguesit amerikanë, nëse ka vërtet vlerë publike, por në rastin e Shqipërisë, nuk ekziston asnjë interes ekonomik i drejtpërdrejtë për qytetin e New York.
Ndërkohë, zëdhënësja e Adams, Kayla Mamelak Altus, ka mbrojtur vendimin duke thënë se udhëtimi është në përputhje me rregullat e qytetit dhe se planifikimi i tij u bë javën e kaluar.
Adams, i cili më parë është përballur me akuza për udhëtime ndërkombëtare të financuara nga zyrtarë turq, ka një histori të gjatë udhëtimesh zyrtare jashtë vendit; nga Kina dhe Greqia deri te Katar dhe Izraeli.
Kjo vizitë në Shqipëri, megjithëse e paraqitur si një nismë kulturore dhe ekonomike, ka marrë shijen e një skandali diplomatik që ndërlidhet me çështje etike dhe politike, në një kohë kur Adams po largohet nga skena e New York nën hijen e akuzave dhe dështimeve elektorale.