
Qeveria e Shqipërisë ndryshoi për të treten herë ketë vit buxhetin e shtetit, duke reduktuar më tej fondet për arsimin dhe shëndetësinë dhe duke rritur ato për infrastrukturën.Fondet për Ministrinë e Arsimit u shkurtuan me rreth 851 milionë lekë ose 1% më pak krahasuar me qershorin. Në raport me buxhetin fillestar 2025, fondet për Ministrinë e Arsimit u shkurtuan me 1 miliard lekë, rreth 10 milionë euro ose 1.6%.Kjo rënie vjen në një kohë kur sistemi arsimor përballet me nevoja të mëdha për investime në mjedise mësimore, staf dhe programe të reja studimore, ndërsa kërkesa për arsim cilësor po rritet.
Edhe Ministria e Shëndetësisë ka shënuar një ulje të fondeve, ndonëse më të lehtë. Ndryshimet e fundit reduktuan një shumë prej 336 milionë lekësh, ose rreth 3.4 milionë eurosh, një tregues i mungesës së politikave të qëndrueshme në një sektor ku kërkesat për shërbime janë gjithnjë e më të larta. Në raport me buxhetin fillestar, fondet për shëndetësinë u reduktuan me 0.5%.Në të kundërt, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës (MIE) është përfituesja më e madhe e rialokimit buxhetor, me një rritje prej mbi 6.1 miliardë lekësh, ose rreth 60 milionë euro më shumë. Në raport me ndryshimet e muajit qershor, fondet për Ministrinë e Infrastrukturës u rritën me 9%, ndërsa me buxhetin fillestar 1.6%. Përqendrimi i fondeve në këtë zë tregon prioritetin e qeverisë për të përshpejtuar investimet në projektet nfrastrukturore.
Infrastruktura digjitale po bëhet po aq e rëndësishme dhe jetike sa infrastruktura fizike – rrugët, uji dhe energjia. Tashmë, kur shumica e shërbimeve qeveritare jepen online dhe mund të merren nga telefonat e zgjuar, qeveria nga ana tjetër po rrit shpenzimet për këto shërbime.Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se nga viti 2016 në vitin 2024 janë financuar më shumë se 42 miliardë lekë, rreth 400 milionë euro për sistemet e e-Albania-s, teksa vetëm këtë vit do të financohen edhe 200 milionë euro të tjera. Financimet vjetore në infrastrukturën e e-Albania renditen të katërtat në radhë pas investimeve publike në transportin rrugor, detar dhe në ujësjellës.