Defekti elektrik ka paralizuar repartin më kritik të spitalit, ndërsa pacientët janë detyruar të transferohen nëpër korridore mes alarmit dhe frikës
Një situatë alarmante është regjistruar mbrëmjen e sotme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku ndërprerja e energjisë elektrike ka shkaktuar kaos në Reanimacionin Qendror, repartin më jetik të spitalit.
Sipas denoncimeve, pas fikjes së dritave dhe dështimit të sistemit elektrik, stafi mjekësor është detyruar të transferojë me urgjencë pacientët nëpër korridoret e spitalit, për shkak të pamundësisë për të garantuar kushtet minimale të kujdesit intensiv brenda dhomave të reanimacionit.
Ngjarja lidhet me një “blackout” që ka prekur një pjesë të Tiranës për rreth një orë, pas një defekti në rrjetin elektrik. Ndërprerja e energjisë ka nxjerrë në pah problematika serioze në funksionimin e sistemeve rezervë të spitalit, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e pacientëve në gjendje kritike.
Burime nga QSUT bëjnë me dije se situata ka krijuar panik dhe vështirësi të mëdha në menaxhimin e emergjencës, ndërsa ende nuk ka një reagim zyrtar lidhur me shkaqet e sakta dhe masat që do të merren për të shmangur përsëritjen e një ngjarjeje të tillë.
Ngjarja ngre shqetësime të forta mbi sigurinë e infrastrukturës spitalore dhe gatishmërinë përballë emergjencave, veçanërisht në repartet ku çdo sekondë është jetike.

