
Me thirrjen “Hidrovori i ri na përmbyti lagjet” , banorët akuzojnë institucionet për dështim dhe kërkojnë përgjegjësi për përmbytjet e përsëritura
Qytetarë të shumtë të Durrësit kanë dalë sot në protestë, duke denoncuar përmbytjet e rënda që, sipas tyre, janë shkaktuar nga funksionimi i hidrovorit të ri. Banorët e zonave të prekura shprehen se investimi i premtuar si zgjidhje përfundimtare është kthyer në burim problemi, duke përmbytur shtëpi, biznese dhe rrugë.
Me pankarta në duar dhe thirrje të forta, protestuesit kërkuan llogari nga autoritetet vendore dhe qendrore, duke theksuar se situata përsëritet pas çdo reshjeje intensive. Sipas tyre, sistemi i ri i kullimit nuk përballon prurjet e ujit, ndërsa mungesa e mirëmbajtjes dhe menaxhimit ka përkeqësuar gjendjen.
Në qendër të protestës u dëgjua slogani “Durrës zgjohu”, si thirrje publike për reagim qytetar dhe ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse. Banorët kërkojnë hetim të plotë për projektin e hidrovorit, transparencë mbi fondet e shpenzuara dhe zgjidhje konkrete për të shmangur përmbytjet në të ardhmen.
Deri në një reagim zyrtar nga autoritetet, protestuesit paralajmërojnë se do të vijojnë aksionet e tyre, duke theksuar se nuk do të heshtin përballë dëmeve të vazhdueshme dhe rrezikut për jetën dhe pronën.
