

Dhjetëra bashki në Francë kanë ngritur flamurin palestinez, pavarësisht urdhrit të Ministrisë së Brendshme për ta ndaluar këtë gjest. Sipas të dhënave zyrtare, deri të hënën në mëngjes, 21 bashki kishin marrë pjesë në këtë nismë, ndërsa pritet që numri të rritet.
Kryetarët e bashkive iu përgjigjën thirrjes së socialistit Olivier Faure, i cili e cilësoi vendimin e ministrit Bruno Retailleau si paturpësi, duke theksuar se solidariteti me palestinezët nuk mund të ndalohet. Në Malakoff dhe Nantes, kryebashkiaket Jacqueline Belhomme dhe Johanna Rolland ngritën flamurin, duke e konsideruar akt simbolik, ashtu siç ishte bërë më parë me flamurin ukrainas.
Kryebashkiakë të tjerë, si Karim Bouamrane në Saint-Ouen, shprehën krenari për këtë hap që përkon me vendimin e Francës për të njohur Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Vendimi francez vjen ndërkohë që lufta në Gaza ka hyrë në vitin e dytë, me mbi 65 mijë palestinezë të vrarë. Ministri i Jashtëm Jean-Noel Barrot e quajti njohjen fitore diplomatike, ndërsa Marine Le Pen e cilësoi gabim serioz. Ish-kryeministri Dominique de Villepin i bëri thirrje Parisit të mos injorojë tragjedinë humanitare në Gaza.