Mariglen Hoxha është 45-vjeçari shqiptar që ka humbur jetën në Mytilene të Greqisë pas një aksidenti në punë.
Ai ra nga një lartësi gjatë kryerjes së disa punimeve në çatinë e një shtëpie, ndërsa rrethanat e aksidentit ende nuk janë sqaruar pasi ai ishte vetëm në punë dhe askush s’ishte aty për ta ndihmuar.
Shqiptari i cili kishte vite që jetonte në Greqi, në shtator të vitit të kaluar u shpall hero pasi shpëtoi një grua 71-vjeçare, e cila ra aksidentalisht në portin e Mytilinit gjatë momentit që po hipte në traget.
Pa hezituar për asnjë çast, shqiptari u hodh në det për ta shpëtuar dhe qëndroi me të për rreth 20 minuta në ujë, derisa arritën t’i ndihmonin. “Marios” – siç e thërrisnin në Mytilini, përshkroi për mediat greke minutat kritike kur pa gruan të binte në ujë dhe përpjekjet që bëri për ta mbajtur atë mbi ujë, ndërsa ajo ishte e frikësuar dhe e ngrirë nga të ftohtit.
“Kur dolëm jashtë, ajo u ul në një karrige dhe unë kam në mendje imazhin e mënyrës se si më shikonte, ashtu siç e shikon një fëmijë. Nuk e di si e gjeta forcën dhe u hodha pa menduar në port sapo e pashë gruan duke pirë ujë dhe duke u përpjekur të qëndronte mbi ujë. I thosha ‘Gjyshe, jam këtu, mos ki frikë’, dhe ajo më thoshte ‘Kam ftohtë’,” deklaroi shqiptari.
Hoxha i cili kishte shkuar në port për të shoqëruar motrën e tij, e cila po udhëtonte me fëmijën e saj, kur ndodhi incidenti u shpall hero për aktin e tij të guximshëm dhe shpëtimin e jetës së gruas së moshuar.
Vdekja e tij në vendin e punës ka tronditur komuniteti shqiptar në Greqi, por jo vetëm. Qendra e Punës e zonës ka reaguar menjëherë duke dënuar aksidentin dhe duke bërë thirrje për një tubim proteste sot në orën 12:00 në Sheshin Sappho. Tubimi ka për qëllim të tërheqë vëmendjen ndaj kushteve të rrezikshme të punës dhe nevojës për masa mbrojtëse më të forta.
