
Stilistja e famshme shndërron divorcin në deklaratë mode, duke krijuar një unazë luksoze me tri diamante për të shënuar një kapitull të ri
Rachel Zoe po kthen një moment personal në një deklaratë të fuqishme mode. Stilistja dhe ikona e stilit ka prezantuar publikisht unazën e saj të re të quajtur divorce ring, një krijim luksoz me tre diamante të mëdhenj, të dizajnuar posaçërisht pas ndarjes nga bashkëshorti i saj prej vitesh, Rodger Berman.
Unaza përbëhet nga një diamant oval dominues në qendër, i shoqëruar nga dy diamante anësore në të njëjtën formë, dhe është realizuar në bashkëpunim me Ring Concierge. Rachel Zoe e ka ndarë për herë të parë këtë bizhuteri në rrjetet sociale, duke e përshkruar si unazën e ëndrrave të saj pas divorcit, duke e mbajtur në gishtin tregues si një simbol force dhe rilindjeje personale.
Rachel Zoe paraqiti kërkesën për divorc në korrik 2025, rreth dhjetë muaj pasi çifti kishte njoftuar ndarjen. Marrëdhënia e tyre kishte zgjatur mbi tre dekada dhe ishte konsideruar një nga bashkëpunimet më të qëndrueshme në botën e modës dhe biznesit.
Ky trend i quajtur divorce ring po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në botën e showbiz-it. Edhe modele të njohura si Emily Ratajkowski dhe Brooks Nader kanë zgjedhur të rikonceptojnë ose të zëvendësojnë unazat e fejesës me bizhuteri të reja, që simbolizojnë pavarësinë dhe një fillim të ri pas ndarjes.
Në rastin e Emily Ratajkowski-t, gurët e unazës së fejesës u ndanë dhe u shndërruan në dy unaza të veçanta, duke reflektuar ndarjen, por edhe forcën personale. Ideja, sipas bizutierëve që qëndrojnë pas këtyre krijimeve, është që fundi i një marrëdhënieje të mos shihet si humbje, por si një moment vetëvlerësimi dhe afirmimi.
Rachel Zoe, e njohur për dashurinë e saj ndaj diamanteve, ka treguar prej vitesh se bizhuteritë për të janë më shumë sesa aksesorë. Ato janë simbole të historive personale, të fuqisë dhe të transformimit. Unaza e re pas divorcit duket se përmbledh pikërisht këtë filozofi: një kapitull mbyllet, por shkëlqimi vazhdon.
