
Një sulm i fuqishëm me dronë goditi rafinerinë e Novokuibyshevsk në Rusi, ndërsa Londra shpall gatishmërinë për të dislokuar forca në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje. Ndërkohë, Kievi njofton humbje të mëdha ruse dhe sulme të reja ndaj rajoneve ruse të Bryanskut dhe Rostovit.
Rafineria e naftës në Novokuibyshevsk, një nga impiantet më të mëdha të grupit Rosneft në rajonin e Vollgës, ka ndërprerë punën pas një sulmi të ri me dronë që i atribuohet forcave ukrainase. Agjencia Reuters raportoi se rafineria ndaloi përpunimin e naftës më 19 tetor, pas dy sulmeve brenda një muaji, ndërsa dy njësi kryesore të distilimit u dëmtuan rëndë.
Ky është një tjetër episod në serinë e goditjeve të Ukrainës ndaj infrastrukturës energjetike ruse, që synon të dobësojë kapacitetet e furnizimit me karburant të ushtrisë së Moskës. Sipas burimeve industriale, kapaciteti ditor i njësive të ndaluara arrinte afro 19 mijë ton naftë bruto.
Në një zhvillim paralel, Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të dërgojë trupa në Ukrainë, nëse Presidenti amerikan Donald Tramp arrin të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje me Rusinë. Healey tha në Londër se qeveria britanike ka planifikuar një buxhet mbi 100 milion paund për një mision të mundshëm paqeruajtës dhe po përgatit forcat për një dislokim të shpejtë në kuadër të një koalicioni ndërkombëtar që do të garantonte sigurinë e kufijve ukrainas.
“Ne jemi gati të udhëheqim përpjekjet për sigurinë afatgjatë të Europës,” theksoi Healey, duke paralajmëruar se “rreziku për një konflikt të gjerë kontinental nuk ka qenë kaq i madh që prej Luftës së Dytë Botërore”.
Ndërkohë, autoritetet ruse raportuan një valë të re sulmesh me dronë në rajonet Bryansk dhe Rostov gjatë natës së 21 tetorit. Guvernatorët lokalë thanë se dy persona janë plagosur dhe dhjetëra ndërtesa janë dëmtuar, ndërsa një pjesë e popullsisë mbeti pa energji elektrike pas dëmtimit të një nënstacioni elektrik.
Nga ana tjetër, ushtria ukrainase raportoi se 58 nga 98 dronët kamikazë Shahed të lëshuar nga Rusia u neutralizuan gjatë një nate sulmesh ndaj qyteteve ukrainase, duke shmangur dëme më të rënda në infrastrukturën energjetike.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, humbjet e ushtrisë ruse që prej fillimit të pushtimit më 24 shkurt 2022 kanë arritur në mbi 1 milion e 132 mijë trupa, krahas mijëra tankeve, avionëve dhe mjeteve luftarake të shkatërruara.
Goditjet e fundit dhe tensionet në rritje tregojnë se pavarësisht përpjekjeve diplomatike, lufta mbetet e hapur në shumë fronte, ndërsa të dyja palët po përgatiten për një dimër tjetër të gjatë dhe të ashpër.