Kryeministri Edi Rama detajoi sot parashikimet e projektbuxhetit 2026 për rritjen e pensioneve, ndërsa siguroi se ky do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve.
Në nisje të podkastit “Flasim”, Rama u shpreh se “pensionistët përveç se do të marrin këtë dhjetor bonusin e plotë të fundvitit, duke filluar nga janari do të kenë një rritje tanimë të shtrirë muaj për muaj, bazuar mbi logjikën e bonusit, por mbi indeksimin e përvitshëm”.
Kryeministri siguroi se ky do të jetë një moment që do të vazhdojë vit pa vitit dhe pensioni do të rritet duke u përputhur me objektivat ambicioz të vendosura dhe të shpallura gjatë fushatës elektorale.
Konkretisht, Rama tha se pensioni urban me vite të plota të punës do të shkojë në 40 mijë lekë të reja nga 27 350 që është sot.
“Pensioni urban i pjesshëm do të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë të reja nga 15 850 lekë që është sot; pensioni rural do të shkojë në 18 mijë letë të reja nga 11 500 lekë që është sot; pensioni familjar do të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11 400 që është sot; pensioni i invaliditetit do të shkojë në 30 mijë lekë të reja nga 20 mijë që është sot”, tha Rama
Duke u nisur nga janari 2026, Rama tha se pensionet do të rriten çdo muaj dhe këtu nuk hyn indeksimi vjetor që do të jetë gjë tjetër dhe do të vijojë normalisht vit pas viti.
“Pensioni urban me vitet e plota të punës do të rritet 1800 lekë të reja; pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 800 lekë të reja; pensioni rural do të rritet me 1 mijë lekë të reja; pensioni familjar me 700 lekë të reja dhe i invaliditetit me 600 lekë të reja”, tha Rama.
Në vitet në vijim, kryeministri theksoi se projeksioni financiar dhe i dakordësuar në të gjithë procesin e buxhetimit do të jetë në shifra të dyfishuara për secilën kategori në vitin 2027, të trefishuara në vitin 2028, të katërfishuara në vitin 2029 dhe pastaj të pesëfishuara në vitin 2030.
“Kjo do të thotë që vlera e zotuar do të jetë një vlerë e realizuar në respekt të 83 mandateve që na janë dhënë pikërisht duke besuar se ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, shtoi Rama.
