Gjatë konferencës së fundvitit, shefi i qeverisë Edi Rama u pyet mbi funksionimin e “sistemit anti-korrupsion” në administratë, apo edhe nevojën për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penalel, nisur nga numri i lartë i paraburgimeve. Rama tha se pavarësisht perceptimeve, numrat nuk tregojnë një realitet më të rëndë korrupsioni krahasuar me 2 mandatet e para qeverisëse.
Rama tha se numërohen 37 raste të vendosura nën akuzë gjatë qeverisjes së tij, duke theksuar se 80% e rasteve kanë qenë gjatë 2 mandateve të para qeverisëse.
“Familja ime politike është shumë e madhe, shumë e madhe, prodhon 83 mandate. 37 raste kam numëruar unë në të gjithë këto vite që kanë shkuar dhe kanë marrë akuzë dhe nga këto 37 raste, ka raste për vepra të ndryshme dhe vetëm disa raste për korrupsion. Nga këto raste, 80% prej tyre i përkasin periudhës së mandatit të parë dhe të dytë, pra tenxheret janë më shumë. Temperatura e zierjes së gjellës me “burg-burg”, “SPAK-SPAK”, është shumë më e lartë, gjysmë të vërtetat janë shumë më tepër”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe për lojërat e disa brenda në SPAK, siç ai e cilësoi, duke shtuar se të nxjerrësh të dhëna nga dosja hetimore është vepër penale.
“Loja e disave brenda SPAK që akoma s’kam dëgjuar të jetë hapur hetim, se është vepër penale të nxjerrësh të dhëna nga dosja hetimore, është sot shumë aktive, por të gjitha këto nuk duhet të thonë që realiteti flet për një Shqipëri më të korruptuar. E dimë shumë mirë se kush janë financuesit e tenxhereve më aktive, dhe ata normalisht do kërkojnë rrëzimin e qeverisë, dhe do sajojnë çdo gjë, puna e tyre. Unë kam kërkuar marrëveshjen me Komisionin Evropian që për gazetarët nuk do ketë më ndjekje penale. Do shpifni dhe nuk do ndiqeni penalisht”, tha Rama.
