
Nga vizitat private dhe dhuratat simbolike, te skena e “përkuljes” në tapetin e kuq, si u shndërrua marrëdhënia institucionale në një lidhje personale që po ndikon politikën europiane. Raporti “special” mes Melonit dhe Ramës; Ai: “Është motra ime”
Marrëdhënia mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni ka kaluar prej kohësh kufijtë e diplomacisë zyrtare, duke u shndërruar në një raport të veçantë, të mbushur me gjeste simbolike, vëmendje personale dhe bashkëpunim të ngushtë politik. Të dy liderët e përshkruajnë veten si “vëlla e motër”, një narrativë që ata e kanë shfaqur hapur në çdo takim të fundit.
Pika e kthesës erdhi në gusht të vitit 2023, kur Meloni, në një nga lëvizjet më të pazakonta për një kryeministre në detyrë, u ngjit në një traget të linjës nga Puglia për të udhëtuar fshehurazi në Vlorë, ku e priste Edi Rama. Fotot e dy liderëve të veshur me të bardha në rrugicat e qytetit bregdetar ndezën debatet në Itali dhe Shqipëri, pasi tregonin një afrim që shkonte shumë përtej protokollit.
Që prej asaj dite, marrëdhëniet mes dy qeverive u forcuan në mënyrë të dukshme. Italia nisi të mbështesë publikisht aspiratën e Shqipërisë për anëtarësim në BE, ndërsa në këmbim Tirana u bë një partner i besueshëm për menaxhimin e flukseve migratore.
Gjatë një samiti në Abu Dhabi në fillim të vitit 2025, Rama i bëri Melonit një dhuratë personale: një shall mëndafshi i prodhuar nga një sipërmarrës italian që operon në Shqipëri. Gjest që Meloni e konsideroi tepër të kujdesshëm.
Por momenti që tërhoqi më shumë vëmendje ndodhi në maj 2025 në Tiranë. Teksa Meloni ecte në tapetin e kuq, Rama u shfaq i gjunjëzuar në fund të shkallëve, gati t’i puthte dorën. Kryeministrja, e habitur, i kërkoi të mos e bënte, por Rama nguli këmbë. Pas një përqafimi të fortë, Meloni iu drejtua gazetarëve duke thënë me humor: “Mos u shqetësoni, e bën vetëm sepse është më i gjatë se unë!”
Gjest që u interpretua si simbol i afërsisë personale, por edhe si shenjë e një aleance politike të konsoliduar.
Përtej momenteve simbolike, bashkëpunimi Rama–Meloni ka prodhuar vendime konkrete:
Marrëveshja për qendrat e emigrantëve në Shqipëri, e cila shkaktoi debat të gjerë në BE
Mbështetja e hapur e Italisë për integrimin e Shqipërisë
Koordinim i shtuar ekonomik dhe rajonal mes dy qeverive
Meloni e ka cilësuar Ramën “vëlla nga zgjedhja e tij”, ndërsa kryeministri shqiptar ka theksuar disa herë se Italia është partneri i parë dhe i pazëvendësueshëm i Shqipërisë.
Me vizita të shpeshta, fjalë të ngrohta dhe skena që më shumë i ngjajnë miqësive personale sesa protokollit shtetëror, dy liderët kanë krijuar një aks që tashmë po ndikon fuqishëm jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në dinamikat brenda Bashkimit Evropian.
Dhe për momentin, duket se kjo “vllazëri politike” do të vazhdojë të prodhojë efekte të rëndësishme në Romë, Tiranë dhe Bruksel./CORRIERE DELLA SERA
