
Kryeministri shqiptar flet për bashkëpunimin me Italinë, projektet e nënshkruara, krizën në Ukrainë dhe rolin e ministres virtuale të krijuar nga inteligjenca artificiale.
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për programin Cinque Minuti në Rai 1, të drejtuar nga gazetari Bruno Vespa, ku ka komentuar marrëveshjen për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë, projektet e përbashkëta të dy qeverive dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në administratë. Rama ritheksoi se marrëveshja e kampeve për emigrantët është ekskluzivitet i bashkëpunimit mes Tiranës dhe Romës, duke theksuar se disa vende të tjera të BE-së kanë kërkuar të ndjekin të njëjtin model, por ai ka refuzuar.
Në intervistë, Kryeministri foli edhe për marrëveshjet e firmosura gjatë mbledhjes së parë historike të dy qeverive, duke veçuar ato në fushën e mbrojtjes, energjisë dhe projekteve të interkoneksionit që lidhin vendet nga Lindja në Perëndim. Ai nënvizoi se bashkëpunimi për sigurinë, luftën ndaj trafiqeve, krimit të organizuar dhe mjedisit është pjesë e axhendës së re mes dy shteteve.
Rama u ndal edhe te situata në Ukrainë, duke thënë se Evropa duhet të paraqesë një plan të qartë për paqen, pa e cenuar mbështetjen për Kievin. Sipas tij, BE-ja rrezikon të mbetet faktor pasiv nëse nuk merr nismën për të paraqitur një vizion të ri diplomatik.
Një pjesë e intervistës u përqendrua te Diella, ministrja virtuale e qeverisë së Shqipërisë e krijuar nga inteligjenca artificiale. Rama deklaroi se ajo do të marrë pjesë në mbledhjet e qeverisë në muajt e ardhshëm dhe mund të shfaqet edhe në studion e Bruno Vespës për një intervistë. Sipas tij, misioni i Diellës është rritja e transparencës, shpejtësisë dhe ulja e ndikimit subjektiv në shërbimet publike dhe veçanërisht në prokurimet shtetërore.
Intervista u mbyll me vlerësimet e Vespa-s për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, të cilat Rama i quajti historikisht të veçanta dhe të rrënjosura në kulturën e dy popujve.
