
Kryeministri shqiptar deklaron se e ardhmja e qendrave për emigrantët në veri të vendit do të varet nga rregullat e reja të BE-së, ndërsa vlerëson Italinë si partnerin më të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit.
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Corriere della Sera, deklaroi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë po hyjnë në një etapë të re bashkëpunimi, duke përfshirë energjinë, mbrojtjen, sigurinë kufitare dhe çështjet gjeopolitike. Sipas tij, Roma mbetet mbështetësi kryesor i Tiranës në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
I pyetur për statusin e qendrave italiane të emigrantëve të ngritura në veri të Shqipërisë, Rama u shpreh se aktualisht pritet Paktit i ri Evropian për Migracionin, i cili do të përcaktojë drejtimin e këtij projekti. Ai nuk dha detaje shtesë, duke iu referuar deklarimeve të kryeministres italiane Meloni, e cila ka këmbëngulur se modeli duhet të zbatohet pavarësisht kritikave.
Në lidhje me akuzat për kostot e larta dhe menaxhimin e qendrave, Rama tha se Shqipëria nuk ka investuar fonde në këtë projekt dhe se polemikat publike janë shpesh të deformuara nga rrjetet sociale dhe gjuha spekulative. Ai theksoi se institucionet shqiptare nuk mund të mbahen përgjegjëse për akuzat që nuk bazohen në fakte konkrete.
Kryeministri përmendi disa fusha ku dy vendet kanë bashkëpunuar ngushtë muajt e fundit, përfshirë projektet e përbashkëta infrastrukturore, sektorin e energjisë, fushën ushtarake dhe luftën kundër trafikimit dhe emigracionit të paligjshëm.
Rama nënvizoi se Shqipëria është afër përfundimit të kapitullit të fundit të negociatave me BE-në dhe synon t’i mbyllë ato deri në vitin 2027. Ai e përshkroi Italinë si avokatin më të zëshëm të Shqipërisë në Bruksel dhe tha se roli i saj ndërkombëtar është forcuar ndjeshëm nën drejtimin e Melonit.
Në fund, duke komentuar situatën globale dhe luftën në Ukrainë, Rama u shpreh se Shqipëria mbron integritetin territorial të Kievit dhe se çdo marrëveshje paqeje që cenon kufijtë e tij është e papranueshme. Ai shtoi se BE duhet të prezantojë një plan të qartë paqeje, në mënyrë që Evropa të mos mbetet pas zhvillimeve ndërkombëtare.
