Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me protestën e zhvilluar nga Partia Demokratike, duke e cilësuar atë si një akt dhune të papranueshëm në një vend europian.
Ai ka theksuar se disa grupe ekstremiste shpesh përdorin dhunën në protesta, por ka shtuar se vetëm një parti parlamentare në Europë ka bërë dhunën pjesë të aktivitetit të saj politik.
Rama ka kritikuar protestat e fundit për shkaktimin e shkatërrimit dhe ndotjes, duke i cilësuar ato si një shenjë të degjenerimit dhe dëshpërimit. Ai u ka uruar shërim të shpejtë punonjësve të policisë të plagosur gjatë protestës.
Postimi i Ramës:
Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona… Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat! Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm! Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër
