
Kryeministri do të marrë pjesë në konferencën kundër antisemitizmit dhe do të zhvillojë takime institucionale në Jerusalem
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë pune në Izrael, në periudhën 25–27 janar 2026, me fokus pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit dhe zhvillimin e takimeve zyrtare në Jerusalem.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Rama do të shoqërohet nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Gjatë qëndrimit në Izrael, Kryeministri do të zhvillojë një takim zyrtar me Kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe një takim mes delegacioneve respektive. Pas këtyre takimeve parashikohet edhe një komunikim për mediat.
Në kuadër të vizitës, Rama do të vizitojë gjithashtu Parlamentin izraelit, Knesset, ku do të pritet sipas protokollit shtetëror dhe do të zhvillojë takime me drejtuesit e këtij institucioni. Po ashtu, ai do t’i drejtohet Knessetit në një seancë të posaçme plenare, ku do të mbajnë fjalën edhe përfaqësues të tjerë të politikës izraelite.
Në përfundim të aktivitetit në parlament, është parashikuar një pritje zyrtare në nder të delegacionit shqiptar, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve diplomatikë dhe të ftuarve të tjerë.
Ndërkohë, Linda Rama do të zhvillojë vizita dhe takime paralele, përfshirë një vizitë kulturore dhe një takim me deputete të parlamentit izraelit.
Më 27 janar, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalim në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.
Gjatë qëndrimit në Jerusalem, në axhendë janë përfshirë edhe vizita simbolike në Muri i Lotëve dhe në Kishën e Varrit të Krishtit, si pjesë e programit zyrtar të vizitës.
