
Rreth 5100 garues nga vende të ndryshme morën pjesë në edicionin e nëntë të maratonës, ku Haradinaj u shfaq në formë dhe në atmosferë sportive
Tirana është zgjuar sot në ritmin e sportit, me edicionin e nëntë të “Maratonës së Tiranës”, një ngjarje që ka mbledhur mbi 5100 garues nga Shqipëria, Kosova dhe shumë vende të tjera të botës. Mes pjesëmarrësve të njohur ishte edhe ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka ndarë në rrjetet sociale momente nga gara, duke shfaqur entuziazëm dhe energji gjatë pjesëmarrjes së tij në rrugët e kryeqytetit. Ai është parë duke vrapuar krah sportistëve amatorë dhe profesionistëve në një atmosferë të gjallë që ka përfshirë qindra qytetarë përgjatë itinerarit të maratonës.
Ngjarja, që tashmë është kthyer në traditë për Tiranën, synon të promovojë sportin, shëndetin dhe bashkimin përmes aktivitetit fizik. Me pjesëmarrjen e figurave publike dhe sportive nga rajoni, maratona e këtij viti ka marrë një karakter edhe më simbolik, duke treguar se sporti mund të jetë një urë miqësie mes njerëzve dhe vendeve.