
Nga Shkumbini te Vjosa, grumbuj ilegalë mbetjesh derdhen çdo ditë në ujërat e vendit, ndërsa ekspertët paralajmërojnë pasoja të rënda mjedisore e shëndetësore
Një raportim i ri i BIRN ekspozon një realitet të frikshëm: shtrati i lumenjve në të gjithë Shqipërinë është kthyer në pikën më të madhe të derdhjes së mbetjeve urbane, ndërsa institucionet që duhet të reagojnë kanë lënë situatën jashtë kontrollit.
Në lumin Shkumbin, ndotja ka arritur nivele kritike. Plehra nga zonat e Paprit, Peqinit dhe afërsisë së inceneratorit të Elbasanit përfundojnë çdo ditë në ujë, duke e shndërruar një prej lumenjve më të rëndësishëm të vendit në një vijë të gjatë landfillesh të padeklaruara. Ekspertët e mjedisit thonë se ky lumë është tashmë një nga pikat më të nxehta të ndotjes në Shqipëri, për shkak se venddepozitimet e dikurshme nuk janë rehabilituar kurrë.
Fenomeni nuk kufizohet vetëm në Shkumbin. Në Devollin e Gramshit, mbetjet urbane dhe inertet presin shirat e dimrit për t’u shpërndarë drejt liqenit të Banjës. Në Obot të Shkodrës, mbeturinat e zonave të banuara përfundojnë në Bunë, ashtu si në brigjet e Fanit dhe Gjadrit, ku depozitat e paligjshme rrëshqasin drejt Adriatikut.
Ndërkohë, në Vjosë, lumin e shpallur Park Kombëtar, situata konsiderohet tejet shqetësuese. Landfillet vendore në Këlcyrë, Tepelenë dhe zona të tjera janë vendosur pranë shtratit të lumit, duke bërë që ndotja të hyjë direkt në rrjedhë. Ekspertët theksojnë se në këtë lumë problemi nuk është vetëm plastikë e dukshme, por edhe ndotje e shpërndarë në të gjithë pellgun hidrik.
Prej vitesh, edhe vendet fqinje raportojnë dëme nga mbetjet që Shqipëria derdh në lumë dhe det. Mali i Zi dhe Kroacia kanë ngritur shqetësime se plastikët dhe mbetjet tona zhyten në territorin e tyre përmes rrymave bregdetare.
Aktivistët dhe profesorët e mjedisit e përshkruajnë situatën si kombinim të mungesës së ndërgjegjësimit qytetar, një sistemi të dështuark në menaxhimin e mbetjeve dhe mungesës së kontrollit institucional. Ata kërkojnë rikthimin e parimit se ndotësi duhet të paguajë, duke paralajmëruar se mikroplastikat e çliruara në ujë janë rrezik serioz për shëndetin.
Pas dështimit të disa strategjive dhe investimeve milionëshe në menaxhimin e mbetjeve, qeveria ka prezantuar një plan të ri. Por ekspertët mbeten skeptikë, duke thënë se dokumentet ndryshojnë, ndërsa problemet në terren mbeten të njëjta: mungesë planifikimi, mungesë kontrolli dhe mungesë përgjegjësie.
Shqipëria përballet sot me një krizë mjedisore që rrjedh drejt detit, por për të cilën askush nuk mban përgjegjësi të qartë.
