Një studim kombëtar i Fondacionit H2H zbulon ndotje masive bakteriale dhe kimike në 75% të trupave ujorë të vendit, nga Bovilla e deri në bregdetin e Hamallajt. Ekspertët paralajmërojnë se situata është në prag emergjence mjedisore dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente.
Një raport i ri mbi gjendjen e ujërave në Shqipëri ka zbuluar një tablo shqetësuese: 75% e liqeneve, kanaleve dhe rezervuarëve janë të ndotur përtej kufijve të lejuar, me nivele të larta bakteriale dhe kimike që rrezikojnë jo vetëm mjedisin, por edhe shëndetin e qytetarëve. Studimi, i realizuar nga Fondacioni H2H në bashkëpunim me organizatat Art Kontakt dhe North Green Association, përfshiu 14 pika monitorimi në disa bashki të vendit, nga Tirana në Shkodër, nga Durrësi në Pustec.
Në kryeqytet, Liqeni Artificial dhe Farka, dy hapësira rekreative të përdorura çdo ditë nga qindra qytetarë, rezultojnë të kenë ngarkesë të lartë bakteriale, me praninë e E. coli, koliformeve dhe enterokokëve intestinalë shumë mbi kufijtë e lejuar nga standardet e BE. Këto të dhëna e bëjnë ujin e tyre të pasigurt për not, ujitje apo çdo përdorim rekreativ.
Eksperti i burimeve ujore, Erjon Kalaja, shprehet se problemi nuk është më episodik, por sistematik, një rrjet ndotjeje që nis nga qytetet, kalon nëpër kanale kulluese e përfundon në liqene dhe det.Ai shton se ujërat e patrajtuara urbane, mbetjet bujqësore dhe mungesa e kanalizimeve funksionale po e kthejnë Shqipërinë në një zonë me rrezik të lartë për ndotje mjedisore.
Liqeni i Bovillës, që mbulon mbi 70% të nevojave të Tiranës për ujë të pijshëm, shfaq gjithashtu turbiditet dhe ngarkesë bakteriale të lartë, përfshirë prani të E. coli. Edhe pse impianti i filtrimit në hyrje të rrjetit është funksional, ekspertët paralajmërojnë se rritja e ndotjes në burim e vështirëson trajtimin dhe rrit rrezikun për cilësinë e ujit në çezma.
“Uji i pijshëm është infrastrukturë kritike kombëtare dhe duhet mbrojtur si i tillë. Nëse liqenet që furnizojnë qytetet mbeten të hapura për ndotje e rekreacion pa kontroll, çdo filtër bëhet i kotë,” thekson Kalaja.
Në Hamallaj, aty ku ujërat e brendshëm derdhen në Adriatik, analizat tregojnë prani të enterokokëve intestinalë dhe nitrateve të larta, që zbulojnë rrjedhje të ujërave të ndotura nga kanalet dhe fermat bujqësore. Kjo ndotje, edhe pse shpesh e padukshme, arrin deri në zonat e plazhit ku notojnë turistët, duke përbërë rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik.
“Deti është pasqyra e gjithë asaj që ndodh në tokë. Kur ndotja vjen nga lart, çdo lumë, çdo kanal, bëhet rrugë drejt brigjeve ku pushon publiku,” paralajmëron raporti.
Edhe liqenet e brendshme si Belshi, Funari, Tregani apo Prespa e Madhe, dikur burime natyrore të pastra, janë prekur nga ndotja bakteriale dhe kimike. Në Prespë, ku mungojnë kanalizimet, mikrobet nga aktivitetet bujqësore dhe shtëpitë e banorëve kanë hyrë drejtpërdrejt në sistemin ujor. Ndërsa në Shkodër, ndonëse parametrat fizikë duken të qëndrueshëm, ndotja fekale dhe prania e koliformeve tregojnë mungesë menaxhimi dhe mbikëqyrjeje.
Pasojat janë të dukshme: rritje e infeksioneve të lëkurës dhe traktit tretës, rrezik për fëmijët dhe të moshuarit, si dhe kontaminim i kulturave bujqësore përmes ujitjes me ujëra të ndotura. Megjithatë, sipas ekspertëve, institucionet publike po heshtin. Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe bashkitë lokale nuk kanë kapacitete për monitorim të vazhdueshëm, ndërsa raportimet për ndotje shpesh mbeten në letër.
Kalaja propozon krijimin e një sistemi kombëtar monitorimi në kohë reale, ku çdo trup ujor të ketë “dosjen” e tij me të dhëna të hapura për publikun mbi cilësinë e ujit, burimet e ndotjes dhe masat e marra.
“Pa transparencë, ndëshkime dhe funksionim real të impianteve, do të vazhdojmë të pijmë ujë të pasigurt dhe të notojmë në ndotje,” përfundon ai.
Raporti i H2H është një thirrje e qartë: në Shqipëri, ndotja nuk është më thjesht problem mjedisor, është alarm kombëtar për shëndetin publik dhe të ardhmen e brezave.
