
Një raport i brendshëm amerikan paralajmëron se Pekini po përshpejton përgatitjet ushtarake, duke rritur ndjeshëm rrezikun e një përplasjeje të madhe në Azi-Paqësor
Një raport i përgatitur nga Pentagoni ka ngritur alarmin në Uashington, duke zbuluar se Kina pret të jetë në gjendje të luftojë dhe të fitojë një konflikt ushtarak kundër Tajvani deri në fund të vitit 2027. Dokumenti, ende në fazë drafti, sugjeron se Pekini po zhvillon skenarë konkretë për marrjen e ishullit me forcë, nëse diplomacia dështon.
Sipas raportit, ushtria kineze po përmirëson aftësitë për të kryer sulme në distanca shumë të gjata, deri në 1.500–2.000 milje detare nga territori i saj, çka mund të sfidojë seriozisht praninë dhe reagimin e Shtetet e Bashkuara dhe aleatëve të tyre në rajonin e Azi-Paqësorit. Vlerësimet amerikane paralajmërojnë se një breshëri e tillë sulmesh, në volum të madh, do të kishte potencialin të paralizonte bazat dhe flotat perëndimore në zonë.
Raporti vjen në një moment tensioni të shtuar, pasi një vlerësim tjetër sekret amerikan ka sugjeruar se Kina mund të dilte fituese në një konflikt të drejtpërdrejtë me SHBA për Tajvanin. Kjo ka rritur shqetësimet për balancën e forcës ushtarake dhe për gatishmërinë reale të Uashingtonit për të mbrojtur ishullin vetëqeverisës.
Dokumenti thekson gjithashtu zgjerimin e arsenalit bërthamor kinez. Sipas të dhënave, Kina ka aktivizuar mbi 100 raketa balistike ndërkontinentale në fusha të reja silosh, ndërsa pritet që deri në vitin 2030 numri i kokave bërthamore të kalojë shifrën 1.000. Kjo, pavarësisht deklarimeve zyrtare të Pekinit se ndjek një strategji mbrojtëse dhe politikën e mos-përdorimit të parë të armëve bërthamore.
Nga ana e tij, Pekini ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar raportet amerikane si përpjekje për të njollosur imazhin e Kinës dhe për të keqinformuar opinionin ndërkombëtar. Megjithatë, gjetjet e Pentagonit pritet të ndikojnë fuqishëm në strategjinë e ardhshme të SHBA dhe aleatëve të saj, ndërsa Tajvani mbetet një nga pikat më të rrezikshme të nxehta gjeopolitike në botë.
