Një vlerësim i ri i inteligjencës së SHBA paralajmëron se Vladimir Putin nuk ka asnjë synim për kompromis dhe është i përqendruar në arritjen e fitoreve ushtarake, pavarësisht humbjeve masive dhe përpjekjeve të Donald Trump për nisjen e bisedimeve të paqes.
Sipas një raporti të fundit të inteligjencës amerikane, i ndarë me anëtarë të Kongresit dhe cituar nga NBC, presidenti rus Vladimir Putin është më i përkushtuar se kurrë për të vazhduar ofensivën në Ukrainë. Dokumenti thekson se Kremlini nuk tregon asnjë shenjë kompromisi, madje as ndërsa Shtëpia e Bardhë përpiqet të ringjallë dialogun për paqen.
Burime të larta nga SHBA kanë deklaruar se qëllimi strategjik i Putinit mbetet marrja e territorit ukrainas për të justifikuar kostot e mëdha njerëzore dhe ekonomike të luftës. Pavarësisht sanksioneve, presionit të brendshëm dhe humbjeve të vazhdueshme në front, Kremlini po përpiqet të mbajë një narrativë të suksesit ushtarak për opinionin e brendshëm rus.
Ndërkohë, Kievi raporton se forcat ukrainase kanë goditur dy depo nafte në Krimenë e pushtuar, në zonat Hvardiiske dhe Komsomolske, duke shkatërruar një sistem mbrojtës rus “Pantsir-S2” me vlerë mbi 20 milionë dollarë dhe dy radarë ushtarakë. Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, mbrojtja ajrore e saj ka rrëzuar 105 dronë gjatë natës, por burime të inteligjencës ukrainase e kanë mohuar këtë shifër.
Në terren, Rusia ka vazhduar sulmet me dronë dhe artileri ndaj qyteteve ukrainase, duke plagosur të paktën shtatë persona në rajonet e Zaporizhias, Dnipropetrovskut, Odesës dhe Sumyt. Mbrojtja ajrore ukrainase ka rrëzuar 93 nga 126 dronët “Shahed” të lëshuar gjatë natës.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës, që prej fillimit të pushtimit më 24 shkurt 2022, Rusia ka humbur rreth 1 milion e 139 mijë trupa, mbi 11 mijë tanke, 75 mijë dronë dhe 34 mijë sisteme artilerie, shifra që tregojnë për një konflikt që mbetet i përgjakshëm dhe pa fund të afërt.
